Lidhje

Tensione në një kamp grek refugjatësh


Mjetet greke të informimit njoftuan për tensione mbrëmjen e së hënës jashtë mjediseve të një strehimoreje në zonën e Dolianës afër kufirit me Shqipërinë ku janë vendosur rreth 200 refugjatë.

Tensionet erdhën pas njoftimit të autoriteteve greke se do të vendosin në këtë qendër edhe 200 refugjatë të tjerë.

Grupe banorësh kanë reaguar ndaj autoriteteve vendore duke pohuar se nuk do të lejojnë hyrjen në qendër të autobuzëve të rinj me refugjatë.

Sipas tyre qendra nuk ka kapacitet dhe nuk dëshirojnë ngritjen e çadrave me refugjatë në zonën e tyre.

Mjediset e Konviktit të nxënësve të Dolianës ndodhen në zonën e Kallpaqit, rreth 14 kilometër larg pikës së Kakavijës, në kufi me Shqipërinë.

Një tjetër incident ishte shënuar më herët në kampin e refugjatëve në zonën e ish- aeroportit ushtarak të Janinës ku ndodhen 1200 refugjatë.

Prefekti i Janinës Aleksandros Kahrimanis u sulmua verbalisht nga një grup prej 50 njerëzish që synuan ta pengonin në portën hyrëse të Kampit.

Sipas mediave lokale greke, grupe anarkistësh thyen në këtë zonë zyrat e Partisë në pushtet SYRIZA dhe Policia greke shoqëroi 18 persona lidhur me këto tensione.

Prurjet e refugjatëve në zonë e Janinës erdhën duke u rritur dy tre ditët e fundit.

Sipas burimeve greke numri i përgjithshëm i refugjatëve në 4 qendra të ngritura në këtë zonë është deri tani rreth 2.000.

Një pjesë jo të vogël të tyre e zënë gratë dhe fëmijët.

XS
SM
MD
LG