Lidhje

Shqipëri, bllokohet një grup refugjatësh afganë


Policia Kufitare shqiptare bllokoi një grup refugjatësh afganë që kishin hyrë nga territori grek. Policia tha se gjashtë refugjatët afganë u zbuluan gjatë monitorimit të kufirit nëpërmjet kamerave termike në një zonë fare afër kufirit në Pikën e Kakavijës. Refugjatët pas verifikimeve janë riatdhesuar në Greqi duke iu dorëzuar nga autoritetet policisë greke.

Për herë të parë policia shqiptare ka zbuluar edhe detaje nga mënyra e organizmit të trafikut të refugjatëve. Pas dëshmive të dy shqiptarëve të arrestuar në grupin e refugjatëve është zbuluar se ata i kishin marrë shtetasit afganë në stacionin e autobuzit në anën greke dhe kundrejt pagesës 100 euro për person do ti transportonin refugjatët e paligjshëm gjatë natës deri në Gjirokastër. Më pas një tjetër person, tashmë i arrestuar, do ti transportonte dejt Shkodrës për në Malin e Zi, kundrejt pagesës prej 2500 Euro për person.

Policia shqiptare tha se dy prej të rinjve shqiptarë të arrestuar për trafikun janë nga Vlora, ndërsa njëri prej tyre nga Gjirokastra. Skema e trafikut sipas ekspertëve të policisë shqiptare përsërit skemat e vjetra që përdoreshin vite më parë në trafikun e qënieve njerëzore në kufirin shqiptaro grek. “Korrierë” kundrejt pagesave më të vogla u shërbejnë rrjeteve të trafikut për transportimin e refugjatëve në zonat ndërkufitare, ndërsa në brendësi të vendit persona të tjerë organizojnë strehimin dhe transportimin e refugjatëve brenda vendit dhe më pas drejt kufijve të vendeve të tjera.

Ngrohja e motit ka ngjallur shqetësim për forcat policore kufitare shqiptare për tendencat në rritje të trafikut të refugjatëve nga territori grek drejt kufirit shqiptar. Ndonëse Shqipëria është një vend tranzit për këto forma të trafikut ato ringjallin aktivitetin e grupeve kriminale që kundrejt shpërblimit për transportin e refugjatëve sigurojnë përfitime të mëdha financiare. Shpesh këto forma të trafiqeve gërshetohen me forma të tjera kriminale, sic është transportimi i lëndëve narkotike.

XS
SM
MD
LG