Lidhje

Sfidat e refugjatëve sirianë me aftësi të kufizuara


Për gjithkënd që ikën nga lufta civile në Siri, arratija drejt sigurisë është i rrezikshëm, disa herë edhe vdekjeprurës. Për refugjatët me aftësi të kufizuara, sfidat janë të jashtëzakonshme por jo të pakapërcyeshme. Në vijim historia e jashtëzakonshme të një motre dhe vëllai që i shpëtuan Shtetit Islamik, pavarësisht se nuk ecin dot dhe lëvizin me karrike me rrota.

Alan dhe Gyan Mohammed, motër e vëlla, kanë distrofi muskulare. Udhëtimi i tyre i jashtëzakonshëm filloi në vitin 2014 ndërsa Shteti Islamik po avanconte drejt qytetit të tyre Al-Hasakah në Sirinë verilindore.

Së bashku me mamanë dhe vëllezërit dhe motrat më të vegjël, refughatët shkuan fillimisht në Irak. Një vit më pas, kur Shteti Islamik mori më shumë territory, ata u detyruan të shkojnë në Turqi.

“Kur arritëm në majë të malit, morëm dy kuaj një për mua dhe për motrën dhe një për karriget me rrota” rrëfen Alan.

Të ulur secili në një anë të kalit, ata mbërritën në Turqi ku paguan trafikantë me nga 750 dollarë për secilin prej tyre, për të shkuar me barkë në Greqi. Gomonia e vogël nxinte 60 refugjatë.

“Sa herë që ktheja kokën përreth shihja foshnja dhe fëmijë që qanin në varkë. Ishte shumë e vështirë,” tregon Alan.

Motori u shua, sapo ata lane brigjet turke. Pas katër orësh, barkat e patrullimit të Bashkimit Evropian i diktuan dhe u dërguan në ishullin grek të Chios.

“Është një histori e jashtëzakonshme që tregon forcë dhe qëndrueshmëri. Por gjithashtu tregon dështimin e shteteve evropiane për t’u ofruar siguri njerëzve që i ikin përndjekjes dhe luftës në vendet e tyre,” thotë Monica Costa Riba e Amnesty International.

Familja Mohammed arriti në Greqi vetëm disa ditë para se Bashkimi Evropian të arrinte një marrëveshje me Ankaranë për t’i kthyer refugjatët në Turqi.

Por rruga për në Evropën Perëndimore ishte mbyllur. Familja Mohammed u dprgua në një kamp provizor refugjatësh jashtë Athinës dhe gjashtë muaj më pas ata janë ende atje.

"Autoritetet greke me ndihmën e Bashkimit Evropian duhet të përmirësojnë kushtet e jetesës së atyre që janë bllokuar në Greqi. Por në fund të fundit, qeveritë evropiane duhet të pranojnë më shumë refugjatë në vendet e tyre,” thotë​ zyrtarja e Amnesty International.

Afro 60 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë ngecur në Greqi, pasi zbatimi i skemës së zhvendosjes, propozuar nga Bashkimi Evropian, është shtyrë mes kundërshtimeve në rritje në Evropë.

Alan Mohammed e kalon kohën duke u mësuar anglisht fëmijëve refugjatë. Arratisja e familjes së tij nga terrori është një fitore ndaj sfidave, por ai thotë se rrugëtimi i familjes së tij nuk ka mbaruar.

XS
SM
MD
LG