Lidhje

Regjisori Cameron zhytet i vetëm në pikën më të thellë të oqeaneve


Regjisori dhe eksploruesi i oqeaneve James Cameron përfundoi një zhytje historike në një vend ku vetëm dy njerëz kishin qenë para tij, më tepër se gjysmë shekulli më parë. Ai zbriti 11 kilometra në ujërat e oqeanit paqësor, pranë ishullit Guam, duke mbërritur në pikën më të thellë të oqeaneve të tokës.

Në mesditën e së hënës, më 26 mars, regjisori i filmave Titaniku dhe Avatar u kthye nga fundi i kanalit Marianna, një gropë oqeanike 50 herë më e gjerë se Kanioni i Madh (Grand Canyon) dhe më e thellë se lartësia e Everestit.

James Cameron i tha ekipit të tij të ndihmës dhe gazetarëve se kishte parë një peizazh të sheshtë dhe pa tipare të veçanta.

“Ishte një vend i zymtë dhe i shkretë, shumë i izoluar. Pata ndjesinë se ishte tepër i veçuar nga gjithë njerëzimi. M’u duk sikur, brenda një dite, kisha shkuar në një planet tjetër dhe isha kthyer.”

Eksploruesi 57 vjeçar e bëri udhëtimin 7 orësh me një nëndetëse njëvendëshe të quajtur Sfiduesja e Thellësive të Detit, për projektimin e së cilës zoti Cameron bashkëpunoi me një grup inxhinierësh, gjatë tetë viteve të fundit.

“Gjithë nëndetësja shkurtohet rreth 8 centimetra vetëm për shkak të trysnisë. Edhe sfera brenda së cilës qëndroj unë zvogëlohet. Dritarja prej nga unë shoh jashtë shtyn në drejtimin tim nën trysninë e madhe në thellësi”.

Mjeti është i pajisur me kamera 3D dhe me një ndriçues LED për të bërë dritë në ujërat në errësirën e plotë të fundit të oqeanit. Ka gjithashtu një krah robotik për të mbeldhur mostra prej thellësive. Regjisori Cameron regjistroi mjaft pamje të vendit ku u ul, por ai solli vetëm një kampion të vogël të fundit të oqeanit, për shkak të një problemi të pajisjeve hidraulike të krahut robotik. Përveç këtij difekti, ai tha se mjeti funksionoi mirë dhe se ai pret që misione të ardhshme të tregojnë më tepër detaje mbi gjallesat e pazakonta që banojnë në fundin e oqeanit.

“Të gjitha kafshët që jetojnë atje i janë përshtatur trysnisë ektreme dhe errësirës së plotë. Ato zakonisht janë të bardha. Nuk kanë pigment ngjyrues. Disa prej tyre lëshojnë biodritë. Të tjera nuk kanë sy.”

Udhëtimi historik i James Cameron i detyrohet mjaft një zhytjeje të vitit 1960, kur një ekuipazh prej dy burrash shkoi në fundin e kanalit Marianna me një batiskaf të Marinës amerikane, të quajtur Trieste.

Drejtuesi i batiskafit Trieste, Don Walsh, ishte në bordin e anijes prej nga u lëshua nëndetësja e zotit Cameron.

Pas udhëtimit të tij, James Cameron tha se ai dhe zoti Walsh kanë një të përbashkët të veçantë: të dy kanë përshkuar një rrugë të rrezikshme në kufirin final të tokës dhe janë kthyer për t’i treguar botës rreth atij vendi.

XS
SM
MD
LG