Lidhje

Rehabilitimi i personave të paralizuar; Historia e Pat Rumerfildit

  • Tala Hadavi

Rehabilitimi i personave të paralizuar; Historia e Pat Rumerfildit

Rehabilitimi i personave të paralizuar; Historia e Pat Rumerfildit

Palca kurrizore e njeriut është një rrugë e rëndësishme për lidhjen e fijeve nervore të trurit me pjesën tjetër të trupit. Dhe ndryshe nga shumica e pjesëve të tjera kritike, palca kurrizore kur dëmtohet nuk mund të riparojë veten. Ndërkohë që kërkimet në këtë fushë kanë qenë premtuese, për lëndimet në palcën kurrizore aktualisht nuk ka ndonjë shërim. Megjithatë, ka edhe raste të jashtëzakonshme kur njerëzit janë shëruar. Materiali na njeh me një prej tyre.

Pat Rummerfield shpenzon një javë në muaj duke punuar me pacientë të paralizuar në Qendrën Ndërkombëtare për trajtimin e dëmtimeve në shtyllën kurrizore, pranë institutit kërkimor Kennedy Krieger në Baltimore të shtetit Maryland. Teknikisht, Rumerfield është zëdhënës dhe grumbullues fondesh për këtë institucion. Por roli i tij më e rëndësishme është që të jetë atje për pacientët të cilët para së gjithash kanë nevojë për mbështetje morale.

"Të jesh në gjendje të përmirësosh jetën e të tjerëve, është nder i madh. Unë vetë kam qenë në situata të njëjta, kur rrija i ngrirë, pa lëvizur. Unë e di se çfarë mendojnë këta pacientë pa shpresë se një ditë mund të ecin, sepse kam qenë vetë si ata."

Në vitin 1974, gjatë një aksidenti me makinë, Rummerfield pësoi thyerje të qafës në katër vende. Mjekët i thanë se ai mund të vdiste brenda 72 orëve, por edhe nëse shpëtonte do të mbetej i paralizuar.

"Një javë më vonë, mjekët më thanë se mund të mbetesha gjallë, por prognoza ishte ende e zymtë."

Vitin e parë Rummerfield iu nënshtrua një terapie fizike. Pastaj, ai dhe babai i tij vendosën për t'a menaxhuar vetë rehabilitimin e tij.Terapia ishte shume intensive. Pesë orë në ditë. Shumë ngadalë ai filloi të ndjejë përmirësim. Pas 3 vjet e gjysmë, filloi të kthehej në anën e djathtë, rimësoi sesi të zvarritej dhe pak nga pak të ngrihej në këmbë.

Pas 17 vjetësh ushtrimesh rraskapitëse, Rummerfield shikohet si personi i parë i paralizuar që është rehabilituar dhe tani funksionon plotësisht, në gjendje edhe të vrapojë. Ai vendosi të thyejë një rekord dhe zhvillonte gara për grumbullim fondesh për kërkime mjekësore në trajtimin e lëndimeve të shtyllës kurrizore.

Rummerfield morri pjesë në garën "Ironman" në vitin 1992 dhe mban rekordin për shpejtësinë më të madhe me makinë elektrike. Edhe pse shërimin e tij për shumë mjekë duket i pashpjegueshëm, apo mrekulli, Dr John McDonald thotë se kyçi i suksesit të këtij pacienti është fuqia mendore.

"Ai ka vendosmërinë e një luftëtari.Ai lufton me dhimbje dhe kurrë nuk heqë dorë deri sa ta mposhtë atë."

Shoqata kombëtare kundër lëndimeve të Shtyllës Kurrizore thotë se më pak se 1 përqind e lëndimeve të palcës së shtyllës kurrizore janë të shërueshme. Mjekët si Ann Choe janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se si Rummerfield arriti të shërohet vetë,

"Duke studiuar strukturën e trurit dhe të palcës kurrizore ne shpresojmë të shohim se çfarë bëri të mundur shërimin e tij. Përfundimet që ne shpresojmë të nxjerrim mund t'i aplikojmë për pacientët e tjerë. "

Çfardo roli që Rummerfield mund të luajë për kërkime mjekësore, puna e tij tani përqëndrohet tek pacientët si Erin, një binjake e bashkuara në lindje. Palca kurrizore e saj iu dëmtua gjatë operacionit ndarjes. Melissa Buckles është nëna e saj:

"Është me shumë interes për ne që Rummerfield kujdeset për Erinin. Kjo tregon se ai ka besim se Erin një ditë do të ecë. Ne e shohim Pat Rummerfieldin si mrekulli dhe mendojme se edhe me vajzën tonë do të ndodhë një mrekulli e ngjashme."

Rummerfield e sheh vetem thjesht si një njeri që përpiqet për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të ketë mundësi. Megjithëse asgjë nuk është e sigurtë, rruga e shërimit, nëse shërimi është i mundur, është e gjatë dhe e tepër e vështirë. Por një gjë është e sigurt dhe e rëndësishme për pacientët në qëndrën kërkimore Kennedy Krieger, se Pat Rummerfield do të jenë atje për t'i frymëzuar këta pacientë të paralizuar në çdo hap të rrugës drejt rehabilitimit të plotë.

XS
SM
MD
LG