Lidhje

Reklamat në finalen e kampionatit të futbollit


E diela e finales së kampionatit të futbollit amerikan, e njohur si “Super Bowl”, më 1 shkurt, nuk është thjesht për një ndeshje dhe festat për ta parë atë. Zakonisht gjatë kësaj ndeshjeje firmat e njohura nxjerrin reklama të reja dhe nëpër vite disa prej këtyre reklamave janë bërë të famshme. Në vazhdim do t’ju njohim me ndikimin që ka media sociale tek përhapja e reklamave më të shtrenjta të Amerikës.

Super Bowl-i është dita më e rëndësishme për reklamat amerikane, pasi audienca arrin në 113 milionë shikues.

Gjithnjë e më shumë kjo ditë po bëhet edhe një ndër më të ngarkuarat në internet, ndërsa media sociale është e mbushur me komente për reklamat më të suksesshme, apo më të këqiat.

“Nuk besoj se Budweiser mund të thotë se reklama me qen i shton shitjet e birrës ditën pas lojës, por ajo që mund të thuhet është se ajo shton një element emocional”.

Një reklamë prej 30 sekondash kushton 4.5 milionë dollarë! Është reklama më e shtrenjë në histori. Ky nivel investimi sigurisht që kërkon një farë shpërblimi në media sociale, thotë James Cooper i kompanisë së reklamave Adweek.

“Nëse e nxjerr një segment të reklamës në YouTube, atëherë zhurma për të në median sociale fillon që përpara se të fillojë loja. Disa nga këto reklama ose segmente që bëhen publike që më parë në YouTube, shihen nga miliona vetë dhe njerëzit fillojnë e komentojnë për to dhe kjo është një mënyrë që ata të justifikojnë koston”.

Reklama e Bud Light-it “Real Life PacMan”, është parë nga miliona vetë. Firma e makinave Lexus ka nxjerrë një reklamë për makinën e saj të re hibrid dhe Victoria’s Secret po shfaq reklama me modelet e veta të famshme. Të dyja kompanitë po shpresojnë të shkaktojnë bujë në median sociale, duke i transmetuar reklamat para lojës.

Përveç reklamave nga kompani të njohura si Doritos, gjatë lojës të dielën, do të shfaqen edhe disa reklama të kompanive të reja si Wix, një krijues i faqeve të internetit falas dhe BuzzFeed një faqe interneti shumë popullore në median sociale.

“Aspekti i medias sociale është bërë pjesë e ADN-së së firmës BuzzFeed. Ata janë vërtet të talentuar në këtë drejtim, sepse fillesat e tyre ishin në median sociale. Por ata duan gjithashtu të bëhen pjesë e një konteksti më të gjerë të medias dhe natyrisht mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është Super Bowl-i”.

Super Bowl është një aktivitet global sportive që transmetohet në mbi 225 vende, si edhe shfaqet në internet në gjithë botën. Kjo do të thotë se reklamat dhe interesi për për to në internet, do të përhapet përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG