Lidhje

Raporti për Lirinë Fetare: Rusia vend problematik


Sipas raportit për lirinë fetare, gjashtëmbëdhjetë vende janë përcaktuar në kategorinë e vendeve veçanërisht problematike. Komisioni i SHBA për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, një entitet dypartiak, dokumenton të dhënat për lirinë fetare në mbarë botën dhe i paraqet rekomandime presidentit, sekretarit të shtetit dhe Kongresit. Së bashku me vendet e tjera, në këtë listë gjendet këtë radhë edhe një superfuqi – Rusia.

Për të parën herë në 20 vitet e ekzistencës së tij, Komisioni i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare e konsideron Rusinë si një vend në veçanti problematik, si pasojë e rritjes së politikave të saj shtypëse që variojnë nga përndjekja administrative dhe deri tek burgimi arbitrar.

“Hapi i parë që duhet bërë është t’i bëhet e qartë qeverisë ruse drejtpërsëdrejti, mundësisht nga vetë goja e Presidentit amerikan, se kemi shqetësime të thella për drejtimin që po marrin liritë fetare. Nuk janë vetëm rregullat e tyre, por edhe trajektorja që na ka shqetësuar së tepërmi dhe që luajti rol të madh në marrjen e këtij vendimi”, thotë Daniel Mark, i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Rusisë vendosi se grupimi fetar “Dëshmitarët e Jehovait” është një organizatë ekstremiste, e cila duhet t’i dorëzojë shtetit të gjitha pronat e saj:

“Të emërtohemi si ekstremistë është qartësisht një keqpërdorim i ligjeve mbi ekstremizmin. Ne nuk duhet të bëhemi objekt sulmi, pasi nuk përbëjmë kërcënim as për Rusinë dhe as për ndonjë vend tjetër në botë. Ne ushtrojmë aktivitet në mbi 240 territore në mbarë botën”, thotë Robert Warren, nga zyrat qendrore të organizatës “Dëshmitarët e Jehovait”.

Zoti Warren thotë se 175 mijë njerëz në Rusi deklarohen besimtarë të tyre dhe se që nga marrja e atij vendimi gjyqësor, faqja në internet e organizatës është bllokuar dhe nuk lejohen më të hyjnë në vend biblat e “Dëshmitarëve të Jehovait”.

Një tjetër vend në veçanti problematik është Republika e Afrikës Qendrore, për shkak të pastrimit etnik të myslimanëve dhe dhunës sektare gjatë një konflikti disa vjeçar. Këtë javë, qindra civilë u strehuan në një xhami në qytetin Banguassou, ndërsa milicitë e krishtera vazhdojnë të vrasin civilë dhe paqeruajtës të OKB-së:

“I dënoj në veçanti këto krime ndaj një minoriteti dhe me synimin për ndezur dhunën në mbarë vendin”, thotë drejtuesi i Misionit Paqeruajtës, Parfait Onanga-Anyanga.

Në Mianmar, diskriminimi qeveritar dhe social ndaj myslimanëve Rohingya i ka detyruar shumë prej tyre të largohen nga vendi. Të krishterëve u kufizohet adhurimi në publik dhe konvertohen me dhunë në budizëm. Mianmar është përcaktuar kështu si vend në veçanti problematik, megjithëse qeveria dhe ushtria i mohojnë akuzat.

Komisioni rekomandon që në Pakistan të hiqen ligjet për blasfeminë pasi ato shkelin Nenin 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Raporti përmbledh situatën e lirisë fetare në 35 vende, për të cilat Komisioni thotë se administrata e re duhet të veprojë.

“Duam që administrata Trump ta bëjë lirinë fetare një prioritet të politikës së saj të jashtme”, deklaroi kryetari i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, Thomas J. Reese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG