Lidhje

Rëndësia e zgjedhjeve partiake në Ajova

  • Suzan Presto

Μιτ Ρόμνεϊ

Μιτ Ρόμνεϊ

Tre emra nga lista e kandidatëve republikanë kryesuan në rezultatet e votimeve të së martës në Ajova. Në vazhdim, një analizë e këtyre rezultateve, në prag të votimeve të ardhshme në Nju Hempshër dhe Karolinën e Jugut.

Një tjetër favorit doli nga zgjedhjet e së martës në Ajova. Fituesi i zgjedhjeve ishte ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, i pasuar nga afër nga ish-senatori Rick Santorum i Pensilvanisë dhe ligjvënësi nga Teksasi Ron Paul, i cili doli në vend të tretë.

Zgjedhjet partiake në Ajova nuk njihen si parashikuese të sakta të fituesit, por thjesht për rolin e tyre në pakësimin e konkurentëve.

Michele Bachmann doli në vend të gjashtë dhe njoftoi se po tërhiqej nga gara:

“Populli i Ajovas e tha fjalën e tij qartë, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga konkurimi”.

Jennifer Lawless, profesore në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se Ajova i dërgoi mesazh edhe fituesit:

“Mitt Romney fitoi, por mori vetëm 25 për qind të votës. Ndoshta do të dalë më mirë në Nju Hempshër, por kjo mund të jetë rezultat i faktit që ai është nga rajoni veri-lindor, por edhe sepse gara po ngushtohet. Pra zgjedhjet në Ajova dërguan një mesazh të qartë se ai ende nuk e ka bindur bazën e partisë”.

Zotit Romney nuk i duhet të tërheqë vetëm bazën. Megjithëse shihet si pretendenti më i fortë në betejën kundër Presidentit Barak Obama, ai nuk gëzon mbështetje të fortë nga amerikanët republikanë konservatorë.

Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, i cili u rendit i katërti në Ajova, e analizon në këtë mënyrë situatën:

“Ta themi qartë. Një nga gjërat që dolën qartë gjatë javëve të fundit në Ajova ishte se do të zhvillohet një debat serioz brenda Partisë Republikane, para se të përgatitemi për debat me Presidentin Obama”.

Newt Gingrich vazhdon garën, por zonja Lawless thotë se fjalët e tij tregojnë se ai ka në plan të tërhiqet nga gara për kandidat republikan në zgjedhje.

“Duket se ai do të përqëndrohet tek beteja për ta shkatërruar Mitt Romney-n dhe këtë e filloi që të martën”.

Votuesit me prirje sociale konservatore, një pjesë e të cilëve mbështesnin Rick Perry-n dhe tjetra zonjën Bachmann apo zotin Gingrich, mund ta zhvendosin tani përkrahjen tek ish-senatori Rick Santorum. Ai avancoi në anketa vetëm pak ditë më parë, i mbështetur nga evangjelistët, por epërsia e tij mund të mos zgjasë shumë.

“Nuk i është dhënë rasti ende të sfidohet. Nuk është bërë objekt reklamash negative dhe i kritikave të Mitt Romney-t”.

Pritet që Mitt Romney të dalë mirë në zgjedhjet partiake në Nju Hempshër më 10 janar. Rick Santorum pritet të dalë mirë në zgjedhjet që pasojnë në Karolinën e Jugut. Por zonja Lawless, e cila është autore e librit Si të Bëhesh Kandidat, beson se Ron Paul nuk ka shanse të mira në këtë garë:

“Është thuajse e pamundur të imagjinosh një të ardhme drejt presidencës për Ron Paul”.

Megjithëse zoti Paul ka përkrahës të zjarrtë, pikëpamjet e tij për izolimin e vendit dhe thirrjet për kufizimin e qeverisë nuk gjejnë shumë mbështetje tek republikanët. Kjo i hap vendin Mitt Romney-t dhe kandidatëve të tjerë.

XS
SM
MD
LG