Lidhje

Rëndohet gjendja e minatorëve të Bulqizës


Rëndohet gjendja e minatorëve të Bulqizës

Rëndohet gjendja e minatorëve të Bulqizës

Greva e urisë e 13 minatorëve të kromit në Bulqizë vazhdoi edhe sot në ditën e 18-të brenda në galeri, pa asnjë mirëkuptim me përfaqësuesit e kompanisë ACR. Sipas të dhënave nga sindikalistët, gjendja shëndetësore e grevistëve është e rëndë dhe disa prej tyre po marrin serume dhe mjekime të ndryshme. Në veçanti, gjendje më të rëndë shëndetësore kanë tre grevistë të urisë, por askush nuk pranon të braktisë grevën.

Sindikat hodhën poshtë ftesën e kompanisë ACR për një takim gjakftohtë në kryeqytet, apo në ndonjë qytet tjetër, me praninë edhe të kryetarit të bashkisë së Bulqizës, si i zgjedhur i tyre. Ata kërkojnë që negociatat të zhvillohen pranë grevës së urisë dhe që premtimet për plotësim të kërkesave duhet të nënshkruhen me marrëveshje zyrtare. Përfaqësues të grevistëve janë shprehur se presin takime edhe sot, pastaj do të ndërpresin komunikimet me negociatorët. ACR u shpreh se është e gatshme të plotësojë kërkesat e grevistëve, por nuk po bisedon dot normalisht me ta, për shkak të disa drejtuesve sindikalistë që nuk kanë lidhje me Bulqizën.

Ministria e ekonomisë, krahas gjobitjes së kompanisë, urdhëroi pezullimin e punës në minierë, sepse nga ndalimi i gjatë i veprimtarisë aty galeritë rrezikohen të shemben. Autoritetet kontrolluan gjendjen teknike të minierës, por ende nuk kanë ndërhyrë për bisedime trepalëshe.

Jashtë mjediseve të grevës, disa qindra banorë të Bulqizës zhvilluan një tubim proteste në mbështetje të minatorëve. Ata bllokuan për dy orë rrugën kombëtare pranë qytetit. Pastaj policia ndërhyri duke liruar rrugën dhe arrestoi 3 persona për bllokim të paligjshëm me dhunë të rrugëve.

XS
SM
MD
LG