Lidhje

Rënia në peshë përmes ndërhyrjes kirurgjike në stomak


10 vjet më parë, operacioni për rënien në peshë ishte diçka e re dhe pak dihej mbi efektet afatgjata të operacionit që zvogëlon organet e tretjes së ushqimit. Një studim i kohëve të fundit shqyrtoi nëse njerëzit mund të ruajnë rënien në peshë pas operacionit dhe nëse rreziqet për goditje në zemër dhe diabetin mbeten të vogla gjashtë vjet pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Jody Stubler para operacionit për humbje peshe dhe tani.

“Humbja e peshës më ka ndihmuar të krijoj besim të madh tek vetvetja dhe aftësitë e mia.”

Ajo ka humbur 54 kilogramë, nuk ka diabet të tipit 2, dhe tensioni i gjakut dhe nivelet e kolesterinës janë normale.

Ka disa lloje operacionesh gastrike, që synojnë të njejtën gjë, zvogëlimin e stomakut.

Mjeku Ted Adams me Shkollën Mjekësore në Universitetin Utah, drejtoi studimin me më shumë se 1 mijë pacientë mbi peshë. Një grup pacientësh pranuan operacionin më të zakonshëm në stomak ndërsa të tjerët jo.

Gjatë procedurës, kirurgu pret stomakun në pjesën e sipërme për të krijuar një qeskë të vogël me madhësinë e një kokre arre. Ushqimi anashkalon stomakun dhe shkon direkt në pjesën e mesme të zorrës së hollë.

Me stomak më të vogël, pacientët hanë më pak dhe kështu bien në peshë. Por nuk dihej nëse kjo rënie në peshë dhe përfitime të tjera shëndetësore mund të ishin të qendrueshme.

“Gjashtë vite më vonë, afro 80 përqind e pacientëve që kanë zvogëluar stomakun kanë qënë në gjendje të ruajnë humbjen e peshës në një shkallë të konsiderueshme.”

Ata që kanë bërë operacionin po ashtu kanë zvogëluar rreziqet për goditje në zemër dhe në tru.

“Çdo faktor rreziku kardiovaskular që studiuam ishte përmirësuar ndjeshëm ose mbetej i përmirësuar në pacientët që kishin bërë operacion stomakun, krahasuar me ata që nuk kishin bërë ndërhyrje.

Studimi tregonte se tensioni i gjakut, nivelet e kolesterinës dhe diabeti i tipit 2 ishin më të ulta tek pacientët me ndërhyrje, krahasuar me ata që nuk ishin bërë operacion. Studimi tregoi se zvogëlimi i stomakut mund ta kurojë diabetin e tipit 2.

Por këto përfitime kanë një kosto. Zvogëlimi i stomakut kërkon që pacienti të ndryshojë në mënyrë drastike dhe të përhershme zakonet e ngrënies dhe t’i kthehet një regjimenti ushtrimesh fizike.

“Është një rrugë sfiduese dhe shpesh e vështirë. Mendërisht, fizikisht dhe emocionalisht, gjithçka ndryshon.”

Ende shumë pyetje mbeten pa përgjigje rreth operacionit gastrik. Mjeku Adams ka në plan t’i studiojë përsëri gjetjet, kësaj rradhe 10 vjet pas operacionit. Studimi u publikua në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.

XS
SM
MD
LG