Lidhje

Repishti: Shoqëria shqiptare po tregon dobësi morale me heshtjen ndaj të burgosurve

  • Ilir Ikonomi

Intervistë me ish të burgosurin politik të komunizimit, Sami Repishti

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish i burgosuri politik Sami Repishti thotë se shoqëria shqiptare po tregon një dobësi morale me heshtjen që ka mbajtur ndaj çështjes së ish të burgosurve të komunizmit. Zoti Repishti ka vuajtur 10 vjet në kampet e punës në Shqipëri dhe tani jeton në Nju Xhersi.

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti, greva të ish të përndjekurve politkë të regjimit komunist në Shqipëri ka patur edhe më parë, por më në fund, opinioni publik duket se është sensibilizuar paksa, pas përpjekjes për vetëflijim të zotit Gjergj Ndreca, ashtu siç ishte edhe rasti i sotëm me zotin Lirak Bejko. Mediat po flasin më shumë dhe qeveritarët po detyrohen të thonë diçka. A mendoni se grevistët ia kanë arritur qëllimit?



Sami Repishti: Para së gjithash, dëshiroj t’u paraqes ngushëllimet e mia familjes së zotit Gjergj Ndreca dhe zotit Lirak Bejko, të dy bashkëvuajtës të mij dhe luftëtarë për demokraci. U uroj atyre të kenë shërim të shpejtë e të plotë. Në lidhje me pyetjen tuaj, unë besoj se greva e ka sensibilizuar opinionin publik, por jo në një mënyrë të mjaftueshme dhe nuk ka influencuar autoritetet qeveritare. Greva e urisë, sikurse e dini, është forma më ekstreme e protestës. Në qoftë se sot ish të persekutuarit protestojnë, kjo tregon se ekstremi i zhgënjimit të tyre nga pushteti në fuqi është i plotë. Pushteti nuk dëgjon sepse nuk kupton heshtjen e rëndë të krimit që bëhet ndaj ish të burgosurve, ish të persekutuarve. Presidenti bëri një deklaratë jo dinjitoze duke thënë se “duhet një dialog, por unë nuk mund të përfshihem.” Kush mund të përfshihet në qoftë se Presidenti nuk mund të përfshihet? “Akuzat publike më kanë distancuar,” thotë ai. Por si mund të mos e quash këtë një aksion politik kur atyre u mohohen të drejtat më elementare? Kryeministri hesht sepse nuk ka çfarë të thotë, përveç sharjeve. Kryetarja e parlamentit ka reaguar si Ponc Pilati, “unë nuk kam gjë për të thënë,” thotë. Dhe ajo vjen nga një familje e persekutuar. Ndërkaq, viktimat e grevës së urisë tentojnë vdekjen në formën më të vështirë, me anë të vetëdjegies.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se kjo shtresë e vuajtur është përdorur për kapital politik? Pra, jo vetëm nga ata që janë sot në pushtet, por edhe nga opozita apo të tjerë?

Sami Repishti: Nuk ka asnjë dyshim. Unë dëshpërohem shumë që ata mundohen t’i konsiderojnë këto si oportunitete apo kapital politk. Është e ditur që ish të bugosurit politikë i kanë dhënë votën Partisë Demokratike dhe tani janë shumë të zhgënjyer nga një gjendje e tillë. Ajo që më shqetëson edhe më shumë është fakti që nuk njihen meritat e tyre. Nuk njihen vuajtjet e tyre, që kanë kaluar për kaq vjet. Nuk njihet, sidomos, merita e tyre që në vitin 1992 ata përbuzën kamxhikun e hakmarrjes alla partizançe, siç ka qenë në vitin 1944-1945 dhe iu nënshtruan vullnetarisht sistemit ligjor. Ky qëndrim dinjitoz, për mendimin tim, i ka dhënë historisë së Shqipërisë një dimension të ri moral për tolerancë e ligjshmëri.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për një detyrim moral që qoftë njerëzit në pushtet qoftë shoqëria u ka ish të përndjekurve. Megjithëse kanë kaluar mbi 20 vjet nga rënia e komunizmit, a vazhdon ky detyrim moral?

Sami Repishti: Të gjithë ata që kanë sakrifikuar për Shqipërinë, pa asnjë dyshim janë për t’u respektuar, jo vetëm tani por edhe nga brezat e ardhshëm, sepse kështu ndërtohet shoqëria, kështu ndërtohet kompaktësia e një kombi. Shoqëria shqiptare për fat të keq – meqënëse e përmendët – po tregon dobësinë e një fibre të saj morale, për mendimin tim. Ajo mban një heshtje që vret. Ajo po tregon një indiferencë që ofendon. Ajo po tregon gjithashtu edhe një farë përbuzjeje, që mbulon me turp të gjithë ata që e ushqejnë. Ata që vuajnë sot, ata që sakrifikohen sot, ata që detyrohen sot të vrasin veten me vetëdjegie janë për t’u respektuar, janë për t’u ndihmuar e jo për t’u ofenduar, për t’u sharë apo për t’u shfrytëzuar nga pikëpamja politike nga ana e forcave politike të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti, le ta shohim çështjen nga aspekti i buxhetit. Qeveria thotë se ka bërë shumë për të dëmshpërblyer ish të burgosurit dhe se buxheti i shtetit nuk lejon më tepër. Sa të justifikuara mendoni se janë këto pohime?

Sami Repishti: Unë e dëgjova deklaratën e ministrisë së Financave dhe për mendimin tim është një paturpësi. Ka 22 vjet që ka filluar tranzicioni demokratik në Shqipëri. Është caktuar që për çdo vit atyre t’u jepet një e teta e dëmshpërblimit. Deri tani, për 22 vjet, ata kanë marrë vetëm një këst. Janë shumë të paktë ata që kanë marrë këstin e dytë. Si mund të justifikohet qeveria se ka mbajtur premtimin e saj, ndërkohë që nuk u ka dhënë atyre shtatë këste të tjerë, por u ka dhënë vetëm një? Kjo është një manovër e padrejtë. Çështja e buxhetit është diçka që është rregulluar më përpara dhe nuk është diçka që e ka gjetur qeverinë të papërgatitur. Ose qeveria ka konsumuar paratë e ish të burgosurve për probleme të tjera, ose qeveria është krejtësisht e papërgjegjshme dhe nuk dëshiron t’i paguajë ata.

Zëri i Amerikës: Në këto momente, çfarë do t’u këshillonit ish të burgosurve?

Sami Repishti: Jam i mendimit që ish të burgosurit, kolegët e mij që janë sot në grevë urie, duhet të dëgjojnë këshillën e ambasadorit amerikan Arvizu. Mos u sakrifikoni. Mos e sakrifikoni jetën. Jeta është gjëja më e shenjtë. Unë jam dhe pak fetar: jeta është dhuratë e Zotit, nuk ka të drejtë të ta marrë njeriu, sepse vetëm Zoti e ka dhënë dhe ai e merr. Prandaj, demonstroni në mënyrat më të forta të mundshme, por pa sakrifikuar jetën sepse është një sakrificë tepër e madhe dhe nuk justifikohet me çështjen e kërkesave që bëni ju sot.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG