Lidhje

Shtëpia e Bardhë mohon njoftimet se Presidenti i kërkoi zotit Comey të mbyllte hetimet rreth çështjes Flynn


Sipas lajmeve të publikuara në shtypin amerikan, Presidenti Donald Trump i kërkoi në muajin shkurt ish-drejtorit të FBI-së James Comey të mbyllte një hetim mbi lidhjet e këshilltarit të shkarkuar të sigurisë kombëtare Michael Flynn me Rusinë, por Shtëpia e Bardhë tha se njoftimet nuk ishin të vërteta.

Sipas njoftimeve, Presidenti Trump ia bëri kërkesën zotit Comey gjatë një takimi vetëm për vetëm në Zyrën Ovale. Sipas një shënimi që zoti Comey mbajti pas takimit, siç raportojnë mediat, presidenti i tha: "Shpresoj se ju mund ta lini këtë çështje të kalojë", duke iu referuar hetimeve rreth zotit Flynn.

Hollësitë e shënimeve të zotit Comey u njoftuan për herë të parë nga gazeta New York Times dhe më pas u konfirmuan nga Washington Post dhe media të tjera.

Në një deklaratë të bërë më pas nga Shtëpia e Bardhë thuhej se njoftimet nuk ishin "një portretizim i vërtetë ose i saktë i bisedës midis presidentit dhe zotit Comey". Në të thuhej se presidenti vërtet kishte shprehur në mënyrë të përsëritur pikëpamjen e tij se zoti Flynn është "njeri i mirë", ai në asnjë rast nuk i kërkoi zotit Comey apo ndonjë tjetri të mbyllte ndonjë hetim që kishte lidhje me këshilltarin e sigurimit kombëtar.

Presidenti Trump e shkarkoi zotin Flynn në muajin shkurt, pasi këshilltari i sigurisë kombëtare nuk u tregoi të vërtetën zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me Rusinë.

Dorëheqja e zotit Flynn erdhi pak orë pas njoftimeve se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar qysh më parë Shtëpinë e Bardhë se këshilltari i sigurimit kombëtar mund të bëhej objekt shantazhesh për shkak të kontakteve të tij me ambasadorin rus Sergej Kislyak përpara se zoti Trump të merrte detyrën më 20 janar.

Një zëdhënëse e FBI-së nuk pranoi të komentojë mbi hollësitë e shënimeve të zotit Comey.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG