Lidhje

Trump hedh poshtë pretendimet për të dhëna komprometuese ndaj tij


Presidenti i zgjedhur Donald Trump hodhi poshtë me indinjatë pretendimet se Rusia kishte informacion që mund ta komprometonte atë.

Pasi e shprehu reagimin ndaj njoftimeve të së martës, ai e përsëriti mohimin e tij në konferencën e parë për shtyp si president i zgjedhur të mërkurën.

"Mendoj se është e paturpshme që informacioni u bë publik. Unë e lexova informacionin jashtë atij takimi. Janë lajme të rreme. Nuk është vërtetë”. tha ai.

Shtypi amerikan shkruante se dyshimi që Rusia mund të ketë patur fakte kompromentuese, dihej që në muajt e fundit të vitit të kaluar nga disa gazetarë dhe politikanë në Uashington.

Informacioni, sipas shtypit amerikan që po raporton për të, nuk është i konfirmuar.

Njoftimi për ekzistencën e fakteve kompromentuese ndaj zotit Trump, është hartuar në bazë të raporteve të një ish agjenti të zbulimit britanik, që ka kontakte të shumta në Rusi, puna e të cilit në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara është konsideruar e besueshme, gjithmonë sipas njoftimeve të shtypit amerikan.

CNN-i, tha se FBI-ja ishte njoftuar që në gusht të vitit të kaluar, disa muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.

"Ajo që ka ndryshuar është fakti që agjencitë amerikane të zbulimit i kanë kontrolluar raportet e ish agjentit britanik dhe rrjetin e tij të gjerë të kontakteve në Evropë dhe kanë arritur në përfundimin se ai dhe burimet e tij janë të besueshme për t'u përfshirë në informacionin që i dhanë presidentit të zgjedhur Trump", sipas raportimit të CNN-it.

Avokati i zotit Trump, Michael Cohen u tha gazetarëve se akuzat janë të rreme dhe ishin shpikur për të hedhur dritë negative ndaj zotit Trump.
Në Moskë, zëdhënësi i Presidentit rus, Dmitry Peskov that ë mërkurën se pretendimet kanë si synimtë dëmtojnë marrëdhëniet amerikano-ruse.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG