Lidhje

Përçarjet në radhët e Partisë Republikane

  • Greg Flakus

Studiuesit e politikës thonë se manjati i pronave të patundshme Donald Trump duket se ka shanset për të fituar emërimin e Partisë Republikane, pas fitores në votimet e super të martës. Shumë udhëheqës të partisë republikane dhe konservatorë të përkushtuar dëshirojnë ta ndalin vrullin e tij, ndërkohë që ekziston shqetësimi se Partia Republikane mund të përçahet. Beteja gjatë super të martës në një zonë elektorale të Teksasit, ktheu vëmendjen tek sfidat me të cilat do të përballen republikanët.

Në festën e organizuar nga kongresmeni Kevin Brady, pas votimeve të së martës, atmosfera ishte ngazëlluese. Ai është kryetar i komisionit të rregullores në Dhomën e Përfaqësuesve, një nga postet më të rëndësishme në Kongresin e SHBA-së, si dhe është një konservator i fortë që përfaqëson një nga rajonet më konservatore në SHBA. Megjithatë, ai u përball me tre sfidues, ndër ta edhe një përfaqësues i grupit Tea Party.

Julie Turner kryeson një nga grupet që akuzuan zotin Brady se pati bërë kompromise të tepruara:

“Ai nuk përfaqëson realisht vlerat tona, por ka vetëm interesin e postit të kryetarit. Do të ishte fantastike që ai të mbronte vlerat tona si kryetar, por ai nuk është i tillë.”

Sidoqoftë, shumë konservatorë e refuzojnë ekstremizmin e "Tea Party".

“Fatkeqësisht, disa njerëz janë kaq kokëfortë dhe dogmatikë në konservatorizmin e tyre, saqë humbasin realizmin për të arrritur gjëra,”- thotë një mbështetëse e zotit Brady.

Zoti Brady mirëkupton irritimin e votuesve:

“Ky ka qenë një vit i paparashikueshëm elektoral, me rezultate të paparashikueshme dhe njerëzit janë të zemëruar për shumë arsye... Ata nuk e shohin Kongresin të veprojë për çështjet thelbësore.”

Sfida e tij nxjerr në pah përçarjet në Partinë Republikane, thotë analisti politik Mark Jones:

“Kevin Brady mbijetoi, por mori vetëm 53% të votave, megjithëse kishte fonde mbi 10 herë më shumë se rivalët e tij.”

Shumë votues republikanë, si Tanya Cotten, mbështesin kandidatin Donald Trump:

“Ai është i sinqertë dhe i thotë gjërat me gjithë mend.”

Më parë, zoti Trump ka mbështetur kauza liberale dhe konservatore, si dhe ka krijuar reputacionin se arrin të bëjë pakte.

“Donald Trump nuk i dihet se çfarë lëshimesh mund të bëjë, dhe të drejtat tona kushtetuese janë të panegociueshme,” thotë Julie Turner.

Zonja Turner, e cila mbështet Senatorin e Teksasist Ted Cruz, mendon se kundërshtarët e zotit Trump mund të përpiqen ta ndalojnë atë gjatë konventës republikane në muajin korrik:

“Kjo është tema kryesore e debatit. Mendoj se konventa republikane mund të zhvillohet shumë e nxehur.”

Por, analisti Jones thotë se nëse republikanët bllokojnë zotin Trump, atëherë do t’u duhet të përballen me mbështetësit e tij të zemëruar:

“Nëse vendosin të mos mbështesin zotin Trump, por një tjetër kandidat për zgjedhjet e nëntorit, atëherë do të humbasin votat e mbështetësve të tij dhe do të përballen me një situatë të dhimbshme.”

Mbështetësit e zotit Trump thonë se në zgjedhjet për president të muajit nëntor, ai do të rigjallërojë partinë dhe do të fitojë Shtëpinë e Bardhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG