Lidhje

Një kandidat për Kongres sulmon gazetarin


Një kandidat për kongresin amerikan në shtetin e Montanës është akuzuar për agresion pas njoftimeve se ka sulmuar një korrespondent të gazetës britanike “The Guardian”.

Në një mesazh në twitter dje në mbrëmje gazetari Ben Jacobs shkruante se republikani Greg Gianforte "më përplasi në tokë dhe më theu syzet". Ngjarja ndodhi në selinë e fushatës së kandidatit, në qytetin e Bozemanit.

Lidhur me ngjarjen kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, tha se kandidati Gianforte "duhet të kërkojë falje. Por sipas tij "nëse ai fiton (duke iu referuar kandidatit Gianforte), ai është zgjedhur nga populli i Montanës".

Ndërsa udhëheqësja e pakicës në dhomën e përfaqësuesve demokratja Nancy Pelosi, tha se kandidati Gianforte po kërkon të imitojë presidentin Trump. “Ai është modeli i tij, Donald Trumpi”,-tha ajo.

“The Guardian” publikoi regjistrimin audio të incidentit i cili ndodhi në momentin kur gazetari po kërkonte reagimin e kandidatit Gianfortes mbi një analizë të Zyrës së Buxhetit të Kongresit për projekt-ligjin e republikanëve për kujdesin shëndetësor miratuar nga dhoma e përfaqësuesve.

Kandidati Gianforte nuk pranoi t'i përgjigjej pyetjeve të gazetarit Jacobs dhe ndërkohë u dëgjua një përplasje e fortë, ndjekur nga britma të forta të kandidatit në drejtim të gazetarit. Në të njëjtën kohë ai urdhëroi gazetarin të largohej nga salla.

Në një deklaratë të zëdhënësve të fushatës së kandidatit Gianforte akuzohej gazetari Ben Jacobs për sjellje "agresive", se ishte ai që i kishte shtyrë në fytyrë aparatin regjistrues kandidatit dhe se po këmbengulte me pyetjet e tij.

Në deklaratë thuhet se kur kandidati Gianforte u përpoq të kapë aparatin regjistrues, gazetari i kapi krahun kandidatit dhe të dy u rrëzuan.

Por gazetarja e “Fox News” Alicia Acuna, që ndodhej e pranishme për të intervistuar kandidatin në përshkrimin e incidentit shkruan se kandidati Gianforte i vendosi duar në fyt gazetarit Jacobs, e përplasi në tokë dhe e goditi. Një tjetër gazetare që ndodhej aty në momentin e incidentit,

Gazetari Jacobs pësoi lëndime të lehta dhe u dërgua në spital për trajtim. Zyra e sherifit të zonës nisi hetimet dhe më vonë lëshoi një deklaratë duke thënë se kishte prova të mjaftueshme për të nisur proçedimin për sulm ndaj kandidatit Greg Gianforte.

Incidenti ndodhi një ditë përpara se kandidati republikan Gianforte të përballet me kundërshtarin e tij të Partisë Demokratike Rob Quist në një proces zgjedhor të pjesshëm për të zëvendësuar Ryan Zinke. Ky i fundit dha dorëheqjen gjatë këtij viti për të shërbyar në administratën e presidentit Trump. Kandidati Gianforte konsiderohet si favorit në shtetin me shumicë republikane, që ka vetëm një vend në Dhomën e Përfaqësuesve.

Dy nga gazetat më me ndikim të Montanas, Billings dhe Missoulian, që kishin mbështetur më parë kandidimin e zotit Gianforte u tëhoqën sot nga ky pozicion, disa orë pas akuzës së ngritur ndaj tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG