Lidhje

Debati i kandidatëve republikanë


Tetë kandidatët kryesorë republikanë debatuan rreth emigracionit, politikës së jashtme dhe ekonomisë, gjatë një debati të zhvilluar dje në Wisconsin dhe të transmetuar drejtpërsëdrejti nga kanali Fox Business Network. Ky është debati i katërt mes tyre.

Një temat më të nxehta ishte emigracioni, që e ka ndihmuar biznesmenin Donald Trump të kryesojë në sondazhe. Ai mbrojti planin e tij për të deportuar miliona emigrantë të paligjshëm.

“Duhet t’i largojmë. Ne jemi një vend me ligje. Ose kemi, ose nuk kemi shtet.”

Ai u sfidua nga Guvernatori i shtetit Ohio, John Kasich:

“E kuptojmë të gjithë se nuk mundemi të mbledhim dhe të deportojmë 11 milionë njerëz. Është argument i trashë.”

Po kështu veproi edhe ish-guvernatori i Floridas, Jeb Bush:

“Të kthesh mbrapa 500 mijë njerëz në muaj është e pamundur, është kundër vlerave amerikane dhe do të përçajë komunitetin.”

Por, Senatori i Teksasit, Ted Cruz, tha se sigurimi i kufijve është thelbësor:

“Mund të përkrahim emigracionin e ligjshëm duke shtuar besimin në shtetin ligjor.”

Politika e jashtme ishte gjithashtu në fokus, përfshirë ndërhyrjen e Rusisë në Siri dhe përballjen me Shtetin Islamik:

“Duhet një zonë ndalim-fluturimi në Siri, pasi nuk mund të lejojmë Rusinë t’i tregojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se kur dhe ku duhet të fluturojnë avionët tanë,” tha biznesmenia Carly Fiorina.

Ben Carson dhe Marco Rubio thanë se Shteti Islamik vazhdon të jetë një kërcënim kryesor:

“Duhet të vazhdojmë të përballemi me ta, pasi synimi ynë nuk është t’i zmbrapsim, por t’i shkatërrojmë përpara se ata të na shkatërrojnë neve,” tha zoti Carson.

“Ose do të fitojnë ata, ose ne. Më mirë ta marrim seriozisht këtë kërcënim, pasi nuk do të largohet vetiu,” tha zoti Rubio.

Por, Senatori Rand Paul paralajmëroi për rreziqet e angazhimit të mëtejshëm ushtarak në Siri dhe Irak:

“Nëse doni, atëherë bëhuni gati t’i dërgoni sërish djemtë dhe vajzat tuaja në një tjetër luftë në Irak. Nuk dua të ndodhë një gjë e tillë.”

Republikanët do të zhvillojnë një tjetër debat në mesin e muajit dhjetor.

XS
SM
MD
LG