Lidhje

Republikanët synojnë të ndryshojnë imazhin e partisë

  • Jim Malone

Udhëheqësit republikanë duket se po kërkojnë që partia e tyre të ketë një qëndrim më pak konfliktual, pas kritikave të shumta për mbylljen e qeverisë federale në muajin tetor. Ky ndryshim i taktikës politike mund të sjellë shtim të votave për republikanët në zgjedhjet parlamentare të mesit të mandatit në nëntor.

Tetorin e kaluar, mbështetësit e grupit konservator Tea Party shfaqën zemërim në Uashington kundër mbylljes së qeverisë federale. Protestuesit ishin të pakënaqur prej mbylljes së memorialit të Luftës së Dytë Botërore dhe e shprehën indinjatën edhe para Shtëpisë së Bardhë.

Por republikanët do të konsideroheshin më vonë shkaktarët kryesorë për mbylljen e përkohshme të qeverisë, duke thelluar ndarjen mes grupeve të Tea Party-t dhe udhëheqësve kryesorë si kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Bohner.

"Sinqerisht, mendoj se ata po gënjejnë mbështetësit e tyre. Mendoj se po i çojnë anëtarët e partisë në një drejtim të gabuar. Dhe sinqerisht mendoj se ata kanë humbur të gjithë kredibilitetin."

Për të shmangur një tjetër përballje, zoti Boehner kohët e fundit anashkaloi konservatorët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe u bashkua me demokratët për të miratuar një ligj që rrit tavanin e borxhit të qeverisë, pa kushte politike.
Por republikanët që gëzojnë mbështetjen e grupit Tea Party nuk po tërhiqen nga linja e tyre, duke përfshirë edhe ligjvënësen nga Mizuri Vicky Hartzler.

"Ne u zgjodhëm që të largonim vendin nga pragu i shëmbjes ekonomike, prandaj ky është një moment domethënës. Ne duhet të ndërmarrim hapa për të frenuar këto shpenzime të mëdha e të kota në Uashington."

Sa i përket çështjeve si emigracioni, republikanët konservatorë ende kanë pushtet të mjaftueshëm politik për të bllokuar çdo lloj reforme, thotë ligjvënësi nga Nju Jorku Peter King.

"Mendoj se në rang kombëtar, reforma është diçka që republikanët duhet të bëjnë. Por kur bëhet fjalë për zona të veçanta, është e vështirë të bindësh shumicën e republikanëve për ta mbështetur."

Ndarja brenda partisë e bën të vështirë që demokratët dhe republikanët të gjejnë gjuhë të përbashkët, thotë nënpresidenti Joe Biden.

"Do të doja të kishte vetëm një Parti Republikane. Do të doja të kishte një person me të cilin të mund të ulesh në tryezë, të bësh një marrëveshje, pra të bësh një kompromis, duke e ditur që ke mbaruar punë."

Grupet e Tea Party-t mund të jenë duke humbur terren, sepse ekonomia e vendit po përmirësohet, thotë analisti Stephen Hess.

"Grupet mbështetëse të Tea Party-t merren kryesisht me gjendjen e ekonomisë. Sa më shumë që përmirësohet ekonomia, aq më shumë njerëz i kthejnë shpinën politikës dhe shikojnë punën e tyre."

Përballjet brenda partisë janë duke pasur një ndikim edhe tek republikanët të cilët mund të duan të kandidojnë për president në vitin 2016, thotë studiuesi i shkencave politike Allan Lichtman.

"Lufta brenda Partisë Republikane vazhdon ende. Madje ka disa republikanë të së djathtës konservatore që u gëzuan nga vështirësitë e guvernatorit republikan të Nju Xhersit Chris Christie, pasi ai ishte shpresa e madhe e të moderuarve."

Demokratët shpresojnë të shfrytëzojnë ndarjen brenda Partisë Republikane në zgjedhjet e këtij viti për kongresin amerikan. Por, me popullaritetin e ulët të Presidentit Obama, shumica e ekspertëve besojnë se republikanët do ta mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë shanse të mira për të fituar shumicën në Senat.

XS
SM
MD
LG