Lidhje

Republikanët dhe demokratët përpiqen të përfitojnë nga protestat e lëvizjes “Zaptimi”

  • Jeff Swicord

Republikanët dhe demokratët përpiqen të përfitojnë nga protestat e lëvizjes “Zaptimi”

Republikanët dhe demokratët përpiqen të përfitojnë nga protestat e lëvizjes “Zaptimi”

Protestat "Zaptimi" i Uoll Stritit u kanë dhënë një mundësi tjetër republikanëve dhe demokratëve për të shprehur mosmarrëveshjet e tyre, madje të dyja partitë përpiqen të tërheqin publikun në favor të tyre në këto demonstrata.

4 javë pas fillimit të protestave "Zaptimi", si Partia Republikane edhe ajo Demokrate po përpiqen t’i shfrytëzojnë ato për përfitime politike.

Fillimisht, republikanët nuk i përfillën ato.

Por më pas, kandidatët republikanë për president, si për shembull Herman Cain, filluan të fajësojnë për protestat Presidentin Barak Obama.

“Këto protesta synojnë largimin e vemendjes nga politikat e dështuara të administratës Obama”, tha zoti Cain.

Analistët politikë thonë se kjo strategji synon t’u japë energji votuesve dhe ta përqëndrojë zemërimin tek temat tradicionale të republikanëve, si për shembull qeveria e madhe.

“Mendoj se njëri prej argumenteve të efektshëm që do të vazhdojë të përdoret është se këta protestues duhet ta shprehin zemërimin jo tek Uoll Striti por tek Shtëpia e Bardhë”, thotë analisti në Qendrën e Politikave Ndërpartiake, Xhon Fortier.

Protestuesit si Ron Sanger thonë se nuk habiten që media dhe politikanët shtrembërojnë mesazhin e tyre.

“Ata vazhdojnë të mohojnë ose të mos flasin rreth çështjeve të vërteta. Ata nuk flasin rreth esencës së protestave tona dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë sukses. Njerëzit janë më të mënçur dhe kjo është arsyeja që ne jemi këtu”, thotë ai.

Demokratët vepruan me shpjetësi për t’u simpatizuar me demonstruesit. Analistët politikë thonë se udhëheqësit e Partisë Demokrate mendojnë se do të jenë në gjendje të tërheqin votuesit, duke u mbështetur në disa tema të protestuesve, si për shembull taksa më të larta për të pasurit.

“Mendoj se demokratët do të përpiqen të përfitojnë dhe shfrytëzojnë ankesat e protestuesve dhe t’i përputhin me shumë prej temave që Presidenti Obama po përpiqet t’i bëjë pjesë e fushatës së tij”, thotë analisti Ruy Teixeira i Qendrës për Progres Amerikan.

Por protestuesit e kundërshtojnë këtë arguemnt. Ata janë të zemëruar me Presidentin Obama lidhur me një numër çështjesh si lufta në Afganistan dhe Irak, si dhe trajtimi prej tij i bankjerëve të Uoll Stritit. Vera Spohr votoi për zotin Obama, por tani është e pakënaqur.

“Presidenti Obama ka qënë gjithnjë me palët që kanë para dhe ende është i tillë. Me siguri që ai do të marrë nga protestat tona çfarëdo që të mundet për ta përdorur për përfitimet e tij, por ai nuk do të bëjë ndryshime domethënëse”, thotë ajo.

Protestuesit thonë se nuk kërkojnë mbështetje politike dhe nuk do të përfillim interpretimet për qëllime politike. Ata kanë në plan të vazhdojnë protestat me mesazhin e tyre, se përfaqësojnë 99 për qind të popullsisë, duke bërë thirrje për drejtësi ekonomike.

XS
SM
MD
LG