Lidhje

Kandidati Romney elektrizon kuvendin republikan

  • Suzanne Presto

Ish-guvernatori i Masaçusetsit pranoi të enjten emërimin e partisë republikane si kandidat për president

Ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney pranoi dje në mbrëmje emërimin e partisë republikane si kandidat për president në pikën kulmore të kuvendit në Tampa të Floridës, ku për tri ditë e morën fjalën, figurat kryesore të kësaj partie.

Pas deklaratës dramatike në fjalimin e transmetuar në televizion, Mitt Romney kritikoi ashpër Presidentin Barack Obama se kishte dështuar me ekonominë.

“Ndryshe nga presidenti, unë kam një plan për të krijuar 12 milionë vende pune”.

Zoti Romney paraqiti një plan që pjesërisht do të sillte marrëveshje të reja tregëtare dhe

“Është sistemi gjenial amerikan i sipërmarrjes së lirë – i shfrytëzimit të krijimtarisë dhe talentit të jashtëzakonshëm dhe shpirtit industrial të popullit amerikan, një sistem që është ngritur për të krijuar begati e së nesërmes dhe jo për të rishpërndarë atë të së sotmes”.

Kandidati republikan kritikoi gjithashtu qëndrimin e zotit Obama për politikën e jashtme, si programi bërthamor i Iranit.

“Në intervistën e parë si president, ai tha se ne duhet të hyjmë në dialog me Iranin. Ne vazhdojmë të flasim dhe centrifugat iraniane, vazhdojnë punën”.

Zoti Romney, që e ka shumë më të ulët mbështetjen e grave, krahasuar me Presidentin Obama, vlerësoi lart gruan e tij Ann, mamanë e pesë djemve të tyre. Po dje, djali i zotit Romney, Craig u përpoq të bënte për vete votuesit hispanikë dhe votuesit konservatorë që e vënë theksin tek familja.

“Babai im, Mitt Romney është një njeri familjar dhe një bashkëshort, baba dhe gjysh i mrekullueshëm”.

Shkëlqimi i Hollivudit mbrëmë erdhi nga legjenda e kinemasë Clint Eastwood, regjisor dhe aktor që përsëriti shprehjen e tij të famshme të serisë së filmave “Dirty Harry”.

Fjalimi i paplanifikuar i aktorit Eastwood ishte një bonus për pjesëmarrësit në kuvend. Kuvendi, është pjesërisht një shans për republikanët në gjithë vendin, për t’u takuar dhe për të shprehur mbështetjen për kandidatin e tyre.

Delegati nga Teksasi Buddy Pilgrim thotë se zoti Romney nuk ishte zgjedhja e tij e parë për kandidat.

“Shumë njerëz thanë se ndoshta zoti Romney nuk është më konservatori, por ai është gjithsesi një konservator dhe nuk kemi problem të shprehim mbështetjen për të. Ka një kontrast të thellë mes zotit Romney dhe Barack Obamës”.

Delegatja nga Oklahoma, Wanda Martin po blinte dhurata me temë nga kuvendi.

“Mendoj se ai është njeriu i duhur për t’i dhënë kthesë vendit. Mendoj se ai ka instinktet e biznesmenit, që na duhen”.

Zëri i Amerikës foli me zonjën Martin në sallën e kuvendit. Ajo thotë se vendimi i zotit Romney për të zgjedhur si kandidat për nënpresident, Paul Ryan, ia shton asaj vlerësimin për zotin Romney.

Pyetja që shtrohet tani është nëse zoti Romney do të arrijë të përfitojë nga entuziazmi i Kuvendit dhe të bëjë për vete votuesit e pavendosur para zgjedhjeve të nëntorit.
XS
SM
MD
LG