Lidhje

Reagime të forta të republikanëve kundër kandidatit Donald Trump


Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Me një numër në rritje të republikanëve që po bëjnë thirrje për kandidatin presidencial Donald Trump për t'u larguar nga gara, disa njoftime po thonë se anëtarë të lartë të Komitetit Kombëtar Republikan janë duke eksploruar mundësitë për largimin e tij nga gara, pavarësisht pengesave procedurale dhe faktin se mbetet vetëm një muaj deri në ditën e zgjedhjeve.

Politico njoftoi të shtunën se udhëheqësit republikanë po e kalojnë fundjavën duke rivlerësuar strategjinë e tyre të zgjedhjeve pas një regjistrimi të Trumpit 11 vjet më parë ku ai bën komente denigruese ndaj grave.

Disa udhëheqës republikanë po tërhiqen nga mbështetja për kandidatin republikan Donald Trump, pas videos së vitit 2005 që u publikua dje, ku ai dëgjohet të bëjë komente denigruese seksuale ndaj grave. Në kohën kur është regjistruar kjo bisedë me një gazetar, zoti Trump ishte i martuar me bashkëshorten e tij të tanishme, Melanian.

Ndërsa në të kaluarën, miliarderi Trump pati arritur të merrte me vështirësi një mbështetjeje nga brenda Partisë Republikane, komentet e tij në videon e publikuar bënë që shumë udhëheqës të kësaj partie të deklarojnë se nuk do të votojnë për të. Disa shtuan se nuk do të votojnë as për kandidaten Hillary Clinton, duke krijuar kështu rrethanat e rrezikshme të moshedhjes së votës për asnjërin kandidat, ose për votimin për kandidatë të tretë që nuk kanë shanse për të fituar garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, tha se ndjehet “i neveritur” nga komentet e zotit Trump dhe njoftoi se ai nuk do të marrë pjesë në festivalin e përvitshëm të vjeshtës në shtetin Wisconsin, ku ai ishte i planifikuar të shfaqej së bashkë me zotin Ryan dhe kryetarin e Partisë Republikane, Reince Priebus.

Zoti Preibus u shpreh për komentet e zotit Trump se “asnjë grua nuk duhet të përshkruhet kurrë me këto terma”.

Kreu i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell tha se “këto komente janë të pështira dhe të papranueshme në asnjë rrethanë” dhe shtoi se zoti Trump duhet t’u kërkojë falje të gjitha grave dhe vajzave.

Kreu i maxhorancës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, gjithashtu bëri thirrje që zoti Trump të bënte një ndjesë të plotë dhe të padiskutueshme.

Senatori i shtetit Utah, Mike Lee, i bëri thirrje kandidatit Trump të largohet nga gara, duke e cilësuar atë një “shpërqëndrim nga çështjet reale me të cilat përballemi sot”.

Senatori Mark Kirk, i cili po kandidon për rizgjedhje në shtetin Illinois, u shpreh në Twitter se zoti Trump duhet të largohet nga gara dhe se Partia Republikane “duhet të vërë në lëvizje rregulloren për një zëvendësim emergjence”.

Komentet e tij u dënuan ndër të tjerë edhe nga ish-kandidatët republikanë Marco Rubio dhe Jeb Bush. Ish-kandidati republikan për president që u përball me Presidentin Obama në vitin 2008, Senatori John McCain, i cili u shpreh se Donald Trump duhet të vuajë personalisht pasojat e sjelljes së tij.

Ligjvënësi i shtetit Utah, Jason Chaffetz, kryetar i Komitetit të Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve tha se “nuk mundet më të mbështesë me ndërgjegje zotin Trump për president”. Zoti Chaffetz tha se komentet e zotit Trump ishin “disa nga më të urryerat dhe nga më ofendueset që mund të imagjinohen”.

Gary Herbert, guvernatori i shtetit Utah, i quajti komentet e zotit Trump “përtej ofezës dhe të papërshkrueshme”.

Konsultenti politik konservator Frank Luntz u shpreh se kjo kasetë do të krijojë dëm real.

Ndërkohë, mediat transmetuan sot një xhirim të regjistruar ku zoti Trump kërkon ndjesë për komentet e tij dhe ku premton se do të bëhet një njeri më i mirë. Megjithë këtë ndjesë publike, në po të njëjtin mesazh, kandidati Trump përmend se ish-presidenti Bill Clinton, pati “abuzuar realisht me gratë” dhe se bashkëshortja e tij, kandidatja Hillary Clinton, u pati bëri presion viktimave të të shoqit.

Hillary Clintoni i quajti deklaratat “të tmerrshme” dhe tha përmes tweeter-it “Nuk mund ta lejojmë këtë njeri të bëhet president”.

Zoti Trump përballet nesër në mbrëmje me rivalen demokrate Hillary Clinton gjatë debatit të dytë televiziv.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG