Lidhje

E ardhmja e republikanëve


Republikanët në Shtetet e Bashkuara ende po i ndjejnë pasojat e humbjes në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kur Presidenti Barak Obama fitoi mandatin e tij të dytë dhe republikanët humbën vende si në Senat, edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, disa republikanë tashmë po e drejtojnë vëmendjen tek zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 2016-ës.

Disa republikanë janë të entuziazmuar mbi mundësinë e kandidimit të një pjesëtari të tretë nga familja Bush për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.

Ish-guvernatori i Floridas Jeb Bush ka patur president edhe të atin George H.W. Bush, edhe të vëllain George W. Republikanët i propozuan Jeb Bush-it të kandidonte edhe në vitin 2008, edhe në 2012, por ai i kundërshtoi kërkesat e tyre në të dyja rastet. Tani ai thotë se po e shqyrton mundësinë e kandidimit në vitin 2016, por ende është larg marrjes së një vendimi. Jeb Bush ka botuar një libër të ri, ku mbështet një reformë imigracioni gjithëpërfshirëse. Ai dha një intervistë në emisionin “Today” të rrjetit televiziv NBC.

“Imigracioni është një çështje thelbësore. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me aziatiko-amerikanët dhe me hispaniko-amerikanët, por është thelbësore. Në se jep mesazhin se nuk do që njerëzit të bëhen pjesë e ekipit tënd, ata nuk vijnë tek ty”.

Edhe në se vendos të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, ai ka mundësi t’i bashkohet një numri të madh kandidatësh republikanë. Një brez më i ri, i drejtuar nga senatori i Floridës Marco Rubio dhe kongresmeni i Wisconsin-it Paul Ryan, po ashtu mund t’i tërheqë gara për në Shtëpinë e Bardhë, si dhe guvernatorë republikanë, si Chris Christie i New Jersey-it dhe Bobby Jindal nga Louisiana.

Në këtë grup mund të përfshihen edhe kandidatë të preferuar të Lëvizjes Tea Party, si senatori i Kentucky-it Rand Paul dhe ai i Texasit Ted Cruz, i cili këtë vit është i ri në Senat. Diçka për të cilën shumica e republikanëve janë të një mendimi, është nevoja për t’i zgjeruar përkrahësit e partisë së tyre përtej përkrahësve tradicionalë, mes burrave të bardhë, më të moshuar.

Edhe kandidati republikan Mitt Romni që humbi në zgjedhje, e kupton nevojën për ta zgjeruar gamën e përkrahësve. Për herë të parë që nga mundja në zgjedhjet e nëntorit, ai dha një intervistë në rrjetin televiziv Fox News.

“Eshtë e qartë, se duhet të tërheqim votat e pakicave për republikanët. Ne duhet të bëjmë një punë më të mirë, duke i komunikuar atyre mesazhin tonë dhe t’i ndihmojmë ata të kuptojnë përse ne jemi partia që ua përmirëson jetën.”

Analisti republikan Scot Faulkner thotë se në këto momente nuk ka një udhëheqës kombëtar, i cili të ofrojë një mundësi për shumë republikanë më pak të njohur, që ata të bëjnë një hap përpara, duke provuar skenën kombëtare.

“Kemi një parti kombëtare, tepër të polarizuar. Pa një figurë kryesore, mund të jetë mirë të ketë një numër kandidatësh, sepse tani Partia Republikane është pa drejtues.”

Konservatorë të vijës së ashpër besojnë se Mitt Romney humbi në zgjedhje sepse ai bëri kompromis me parimet, me shpresën për të siguruar votën e votuesve të moderuar. Po ashtu strategët e Partisë Republikane shqetësohen sa ka tensione brenda Partisë, mes drejtuesve dhe elementëve konservatorë të Lëvizjes Tea Party.
CUT

Anketuesi i Universitetit Quinnipiac, Peter Brown, thotë se studimet e fundit tregojnë se republikanët duhet të bëjnë punë për të përmirësuar imazhin e tyre te votuesit.

“70 për qind e votuesve nuk janë dakord me ato që po bëjnë republikanët në Kongres. 60 për qind e tyre nuk janë dakord me ato që bëjnë demokratët. Asnjëri nuk gëzon një mbështetje të konsiderueshme , por demoratët në çdo rast paraqiten pak më mire.”

Ekspertët thonë se republiakanët që po shohin mundësinë të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, nuk pritet të marrin një vendim deri në vitin 2014, kur janë zgjedhjet për në Kongres.
XS
SM
MD
LG