Lidhje

SHBA, 3 kandidatë hynë në garën presidenciale


Tre Republikanë këtë javë hynë në garën presidenciale të vitit 2016, duke shtuar numrin e kandidatëve në zgjedhjet paraprake të partisë republikane.

Neurokirurgu Ben Carson është afrikano-amerikani i parë që hyn në fushatën republikane për zgjedhjet e vitit 2016.

Carson njoftoi hyrjen në garën presidenciale në vendlindjen e tij në Detroit të Miçiganit, ku ai u rrit vetëm nga nëna nën rrethana të vështira, por megjithatë ai arriti të arsimohet dhe të ketë një karrierë të shquar në mjekësi.

Carson është një nga kandidatët e preferuar konservatorëve dhe është zotuar se do të kufizojë pushtetin e qeverisë qendrore, nëse zgjidhet president vitin e ardhshëm.

"Unë mendoj se qeveria siç përshkruhet në Kushtetutën tonë është e mrekullueshme. Por tani ne kemi shkuar përtej asaj që Kushtetuta parashikon dhe kemi lejuar qeverinë të zgjerohet në bazë të asaj që klasa politike kërkon, sepse ata duan të rrisin pushtetin e tyre mbi popullin, dhe unë mendoj se ka ardhur koha që njerëzit të ngrihen dhe të rimarrin qeverinë".

Garës presidenciale në partinë republikane iu bashkua edhe një tjetër kandidat tjetër jashtë klasës politike, ish-ekzekutivja e industrisë së teknologjisë, Carly Fiorina. Ajo ka qenë drejtuese e kompanisë Hewlett-Packard, dhe në vitin 2010 humbi garën për t’u bërë senatore nga Kalifornia. Ashtu si Ben Carson, ajo asnjëherë nuk është zgjedhur në një post politik.

Zonja Fiorina tha në emisionin Good Morning America të kanalit televiziv ABC se e sheh mungesën e saj të përvojës politike si një një element pozitiv për fushatën e vitit 2016.

"Vendi ynë është ndërtuar të ketë një qeveri të qytetarëve dhe në njëfarë mënyre ne kemi arritur në këtë pikë të historisë, ku mendojmë se kemi nevojë për një klasë profesionale politike. Unë nuk besoj në këtë pikëpamje dhe them se nga bisedat që kam patur me shumë qytetarë kam mësuar se as ata nuk besojnë në këtë gjë. Edhe ata janë lodhur nga klasa politike".

Një republikan i tretë, ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, Mike Huckabee, të martën hyri në garën presidenciale. Huckabee në zgjedhjet paraprake të republikanëve në vitin 2008 fitoi në Ajova, por eventualisht humbi ndaj senatorit John McCain.

Tre Republikanët tjerë, senatorët Ted Cruz nga Teksasi, Rand Paul nga Kentaki dhe Marco Rubio nga Florida, shpallën kandidaturat e tyre kohët e fundit.

Analisti John Fortier i Qendrës së Politikave Dypartiake thotë se më shumë pretendentë do t’i bashkohen fushatës në javët e ardhshme në atë që ai pret të jetë një betejë e vështirë për të marrë emërimin e Partisë Republikane.

"Tani ky është një kontest prapa skenave. Pra tani kandidatë përpiqen të marrin mbështetje, të krijojnë grupe aktivistësh, të zgjerojnë personelin dhe të gjejnë njerëzit e duhur për të drejtuar fushatat e tyre. Në këtë kohë ata merren me mbledhjen e fondeve për të treguar se kanë mbështetje të forte financiare për të qëndruar gjatë gjithë garës".

Senatori Marco Rubio, ish guvernatori i Floridës Jeb Bush dhe Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker kryesojnë sondazhet e fundit, ndërsa Ted Cruz dhe Rand Paul kanë mbështetje shumë më të vogël. Carson dhe Huckabee radhiten në mesin e sondazheve ndërsa Fiorina është nga fundi i listës së kandidatëve republikanë.

Hillari Klinton mbetet kryesuese e fortë në Partinë Demokrate dhe tani ka një kundërshtarë zyrtar, senatorin e pavarur nga Vermonti, Bernie Sanders.

XS
SM
MD
LG