Lidhje

Atentati i presidentit Lincoln në telajo


Një pikturë e sapo restauruar tregon momentet pas atentatit të presidentit Abraham Lincoln në vitin 1865. Piktura u prezantua para pak kohësh në Teatrin Ford në kryeqytetin amerikan, ku edhe u vra presidenti i 16 amerikan. Mesa dihet, kjo është piktura e vetme nga një dëshmitar që tregon dramacitetin e asaj nate të tmerrshme. Materiali në vazhdim sjell detaje mbi pikturën dhe sa u punë u desh për ta restauruar atë.

Presidenti Abraham Lincoln u qëllua ndërsa bashkë me gruan po shikonin një shfaqje në Teatrin Ford.

Ndërsa atentatori John Wilkes Booth u largua, presidenti i plagosur u dërgua përtej rrugës në bujtinën Petersen, ku ndërroi jetë mëngjesin që pasoi.

Tani, një pikturë në pronësi të Shërbimit të Parqeve Kombëtare Amerikane, tregon kaosin e asaj mbrëmjeje. Laura Anderson, e Agjencisë së Parqeve Kombëtare, tregon për Zërin e Amerikës mbi autorësinë e pikturës.

“Pranë bujtinës Peterson qëlloi të ishte një artist që po skiconte një paradë që do zhvillohej atë natë për të festuar fundin e Luftës Civile. Ai e kuptoi menjëherë se ishte dëshmitar i një skene të rëndësishme ndërsa pa presidentin tek e kalonin në rrugë dhe kështu skicoi në telajo detajet.”

Kjo pikturë, “Lincoln Borne by Loving Hands”, u krijua nga artisti gjerman Carl Bersch.

Pas disa riparimeve të mëparshme, piktura kishte nevojë për një restaurim serioz.

Kështu, Shërbimi i Parqeve i kërkoi kuratorit David Olin ta restauronte atë.

“Në 30 e ca vite punë restaurimesh, kurrë nuk kam parë një pasqyrim të ngjarjes që ndodhi jashtë Teatrit Ford ku tregohen pasojat pas atentatit ndaj presidentit Lincoln. Për mua, kjo është një pikturë shumë e veçantë," thotë ai.

Ekipit të zotit Olin iu deshën gjashtë muaj punë.

“Faza e parë është pastrimi, heqja e shtresave të mëparshme. Pastaj vjen riparimi strukturor për çdo milimetër, duke pikturuar zonat e prishura me ngjyra dhe pigmente që i qëndrojnë kohës dhe mund të zëvendësohen. Synimi, pas pastrimit dhe stabilizimit të pikturës, është ripërtëritja e objektivit të artistit,” thotë zoti Olin.

Tamara Luzeckyj po ashtu punoi në restaurim.

“E kemi risjellë pikturën në atë që ka qënë origjinale para qindra vitesh që njerëzit ta shijojnë atë në pamje origjinale dhe jo të mbuluar nga shtresat e tjera të pikturuara prej kohësh,” thotë ajo.

“Shpresoj që kur vizitorët të shikojnë pikturën, në mendje t’u vijë ajo që ndodhi këtu në Teatrin Ford atë natë”, thotë Laura Anderson, e Shërbimit të Parqeve.

Ishte një rast tejet i veçantë. Ishte hera e parë që një president vritej.

Ishte një kalim paqësor pushteti dhe një ngjarje e trishtuar që u ndje në mënyrë të qartë nga artisti, dhe piktura ende flet.

Piktura është e vendosur në muzeumin e Teatrit Ford, pranë vendit ku u vra presidenti Abraham Lincoln.

Një kujtim prekës i një prej momenteve më të errëta në historinë amerikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG