Lidhje

Restaurohet shtëpia e Xhorxh Uashingtonit


Restaurohet shtëpia e Xhorxh Uashingtonit
Restaurohet shtëpia e Xhorxh Uashingtonit

Xhorxh Uashington lindi në një botë ku skllavëria pranohej si pjesë e jetës. Kur ishte 11 vjeç, ai trashëgoi 10 skllevër. Kur ai vdiq në vitin 1799, pasi kishte shërbyer si Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, në pronën e tij në Mount Vernon jetonin më tepër se 300 skllevër. Këtë vit, ambjentet ku jetonin skllevërit ju nënshtruan një analize të gjatë arkeologjike dhe restaurimi. Në vazhdim ju njohim me disa detaje të jetës së skllevërve që jetuan dhe punuan në Mount Vernon:

Kjo vilë ishte pronë e Presidentit të Parë amerikan, Xhorxh Uashington. Ai e konsideronte shtëpinë e tij. Tani vizitorët kanë rastin të shohin vendin ku strehoheshin skllevërit e Mount Vernonit, ngjitur me vilën. Pas një restaurimi 10-mujor, vendbanimet e skllvërve janë rihapur për publikun. Ato janë dy pjesë të ndërtesës që Xhorxh Washingtoni ja shtoi serës së Mount Vernonit pak kohë pasi ai u bë presient. Ato janë ndarë në 4 dhoma të mëdha, mes tyre një për burrat dhe një për gratë. Secila nga dhomat ngrohej nga një vatër. Në ceremoninë e përurimit, arkeologu Denis Pogue tha se restaurimi ishte rezultat i më tepër se 20 vjet kërkimesh. Ai tha se rrobat, veglat, gotat, filxhanët, fshesat dhe shportat e përdorura nga skllevërit, po ashtu janë riprodhime.

"Kemi shumë materiale arkeologjike që i gjetëm në pjesën e shtëpisë ku banonin skllevërit. Në fakt, ne kemi pikërisht ato objekte që ata përdornin, qeramikat që përdornin për të ngrënë, madje edhe mbetjet e ushqimeve. Ne gjetëm shumë koska kafshësh, prandaj shohim që ata kanë ngrënë shumë mishin e kafshëve të egra dhe se i shtonin racionet që merrnin nga familja e Xhorxh Uashington-it".

Këto objekte na njohin me mënyrën e të jetuarit të zejtarëve, kuzhinierëve, shërbëtorëve, punëtorëve të fermave, që ishin pronë e Uashingtonit dhe punonin falas në pronën e Virxhinias.

"Ne kemi disa përshkrime të këtyre ambjenteve, që mund të thuhet se janë kasolle dhe ato janë më të mjera se gjithshka që mund të imagjinohet. Ne nuk duam ta zbehim këtë pjesë të historisë. Këta njerëz ishin pronë e njerëzve të tjerë. Ata nuk kishin fare të drejta dhe punonin shumë".

Disa prej këtyre objekteve të riprodhuara pasqyrojnë se si disa nga skllevërit e ruanin trashëgimininë e tyre, si ky tas, kjo kukull prej lecke dhe kjo kapele.

Në ceremoni morën pjesë disa nga pasardhësit e skllevërve të Xhorxh Uashingtonit. Ata i vendosën disa prej këtyre objekteve në vendin e restauruar. Mes tyre ishte edhe Rohulamin Kuender, gjykatës i lartë administrativ në Uashington DC. Ai është pasardhës i Saki Beit, një skllav që ka jetuar në Mount Vernon dhe ka punuar për Xhorxh Uashingtonin.

Burri për të cilin ata punuan, Xhorxh Washingtoni, është glorifikuar, por ne duhet të tregojnë edhe për rolin e këtyre skllevërve që punonin nga mëngjesi deri në darkë, 7 ditë në javë, dhe që bënë të mundur që Uashingtoni të realizonte kaq shumë gjëra nga të cilat të gjithë ne kemi përfituar.

Beth Kejer, mësuese e shkollës fillore, i solli nxënësit e saj në Mount Vernon, për lëndën e historisë.

"Natyrisht, që disa fëmijë i kanë patur parardhësit e tyre skllevër, pra kjo vizitë ishte një mënyrë që ata të mësonin kontrastin në stilin e jetesës në atë kohë dhe kjo i bëri atyre shumë përshtypje".

Njohja e vizitorëve me vështirësitë e skllavërisë është synimi i restaurimit të kësaj pjese të Maunt Vernonit.

Gloria Alice Holes, një tjetër pasardhëse e Saki Beit, erdhi gjithashtu në Mount Vernon për të marrë pjesë në ceremoni. Ajo vendosi një tas qeramike në dhomën e grave.
"Sot bie shi dhe unë dua të shpreh mendimin tim, se shiu që bie janë lotët e skllevërve që thonë Faleminderit. Faleminderit që nuk na keni harruar!"

XS
SM
MD
LG