Lidhje

Revolta anti-komuniste e Spaçit


Instituti i të përndjekurve politikë dhe Instituti i Dokumentimit të Krimeve të Komunizmit përkujtuan sot 40 vjetorin e revoltës së të dënuarve politikë në burgun famëkeq të Spaçit, një nga protestat e hershme ndaj regjimit diktatorial. Në burgun e Spaçit dje, dhe sot në Muzeun Historik u bashkuan protagonistë dhe familjarë të të burgosurve politikë, për të nderuar sakrificat e atyre, që edhe pse të burgosur për motive politike, guxuan në kulmin e diktaturës të shprehnin bindjet e tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike e hapur me Europën e qytetëruar.

Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist përsipër, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.



Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.
Për sakrificat e tyre dhe peshën e revoltës treguan sot disa nga pjesëmarrësit e saj Bashkim Fishta, Luan Burimi, Demir Pojani.

Revolta nisi më 21 maj 1973 si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, dhe kjo ishte vetëm një shkas për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e regjimit me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës së rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG