Lidhje

Revolucioni serb, shembull për rrëzimin e diktatorëve në botë


Revolucioni serb, shembull për rrëzimin e diktatorëve në botë
Revolucioni serb, shembull për rrëzimin e diktatorëve në botë

Veteranët e kryengritjes serbe që rrëzoi Presidentin Sllobodan Millosheviç kanë hapur seminare për grupe opozitare në të gjithë botën për mënyrën se si rrëzohet një diktator. Korrespondenti Henry Ridgewell vizitoi zyrat e qendrës “Canvas” në Beograd – Qendra për Veprime dhe Strategji Pa Dhunë dhe njofton mbi analizën shkencore që shoqërohet me revolucionet.

Në periferi të Beogradit, mes pallateve të ngritura gjatë periudhës komuniste, ndodhen zyrat e qendrës Camvas. Në këtë qendër, Sergja Popoviç drejton Shkollën e Revolucionit:

“Ideja origjinale që patëm ishte të ndihmonim grupe nga Zimbabveja dhe Bjellorusia në vitin 2003 pasi ishin frymëzuar nga Revolucioni Serb. Filloi, faktikisht si një hobi, por tani është aktiviteti ynë i përditshëm. Me kalimin e kohës, filluan të shtohen kërkesat, grupe të reja po gjenin frymëzim dhe programi ynë mori tipare më serioze”.

Srgja Popoviç ishte një ndër udhëheqësit e grupit “Otpor”. Kjo organizatë luajti një rol kyç në revoltën e vitit 2000 që rrëzoi nga pushteti Presidentin Millosheviç. Taktikat që mësoi në atë kohë, tani po u përcillen grupeve opozitare në të gjithë botën.

Kjo betejë është bërë frymëzim për filmin “Rrëzimi i një diktatori” që tani shfaqet në kuadër të kurseve të grupit Canvas.

“Zakonisht seminaret e organizatës zgjasin shtatë ditë. Së pari duhet të shpjegojmë vizionin e së ardhmes, pastaj shpjegojmë parimet bazë të suksesit dhe luftës pa dhunë. Në këto parime përfshihen uniteti, planifikimet dhe disiplina, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e shmangies së akteve të dhunshme”.

Organizata ka zhvilluar seminare me grupe opozitare egjiptiane në vitin 2009, përfshirë lëvizjen e 6 prillit, që luajti një rol kyç në rrëzimin e regjimit të Mubarakut 2 vjet më pas. Srgja Popoviç vlerëson disiplinën që treguan protestuesit në ballafaqimin me autoritetet:

“Ata ftonin njerëz të vinin në Sheshin Tahrir nga 5 pika të ndryshme dhe policia shkonte më pas i mbyllte hyrjet. Por njëkohësisht opozita organizonte linja komunikimi që t’i fusnin njerëzit përmes labirintit të rrugëve deri në prapavijat e forcave ushtarake. Një tjetër pikë e fortë e tyrja ishte aftësia për të krijuar unitet. Ata hoqën dorë nga simbolet individuale të grupeve që përfaqësonin dhe dolën me flamurin egjiptian”.

Që nga kryengritjet në Tunizi dhe Egjipt, aktiviteti në faqen elektronike të organizatës Canvas është rritur shumë. Dhjetëra mijëra vetë kanë shkarkuar udhëzuesin që ofron falas organizata për të organizuar protesta. Librat e botuara nga organizata janë përkthyer në 7 gjuhë, përfshirë persisht dhe arabisht, që janë versione shumë popullore. Grushti i shtrënguar – simboli i protestave serbe, është përqafuar si simbol nga Kenia në Bjellorusi.

Për Srgjan, seminaret janë një angazhim shumë intensiv:

“Shkojmë në vende të ndryshme, nga Azia në Amerikë të Jugut e deri në Paqësor. Punojmë me vende si Papua Perëndimore, Fixhi, pra kemi kontakte shumë të largëta. Por në praktikë puna zhvillohet në hotele, në klasa mësimore, në plazh pra është një proces shumë ngazëllyes”.

Organizata ka ecur shumë që nga protestat që mbushën sheshin qendror të Beogradit. Tani barrikadat janë zëvendësuar nga kafene të hapura dhe brohoritjet e turmës i kanë lënë vendin zhurmës së shatërvanëve.

Por ka edhe nga ata që nuk mendojnë se modeli serb mund të eksportohet në vende të tjera. Miljenko Dereta është drejtor i organizatës joqeveritare “Nisma Civile”.

“Së pari, lëvizja serbe nuk ishte revolucion, por thjesht rrëzimi i një figure shtetërore. Ne menduam disi në mënyrë naive, se me ndryshimin e një individi, ndryshonte edhe sistemi. Por ne ende kemi të njëjtin sistem dhe ende po përpiqemi ta ndryshojmë”.

Srgja Popoviç pohon se rrëzimi i diktatorit ishte vetëm fillimi:

“Rrëzimi i një figure diktatoriale është nganjëherë më e lehtë se ngritja e institucioneve demokratike”.

Ky është mësimi, thotë Sergja, që do të nxjerrin së shpejti protestuesit në të gjithë botën arabe.

XS
SM
MD
LG