Lidhje

Rezerva Federale njofton masat e reja

  • Mil Arcega

Ashtu siç pritej, Banka Qendrore amerikane ose Rezerva Federale, miratoi dje masa të reja që kanë për synim rigjallërimin e ekonomisë së ngadaltë amerikane. Masat e reja do të mbajnë të ulëta normat e interesit edhe për dy vite e gjysmë, do të stimulojnë huamarrjen dhe do të nxisin punësimin. Por kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke thotë se këto masa nuk janë ilaç për të gjitha problemet e ekonomisë amerikane.

Duke marrë parasysh rritjen e ngadaltë ekonomike dhe nivelin e papunësisë, Rezerva Federale njoftoi dje një plan të ri agresiv për të nxitur rimëkëmbjen.
Duke folur për gazetarët, pas dy ditë takimesh, kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke tha se masat e reja do të ndihmojnë në nxitjen e ekonomisë.

“Ideja është shpejtimi i rimëkëmbjes në mënyrë që ekonomia të fillojë të rritet me ritme të mjaftueshme për të krijuar vende të reja pune dhe për të zvogëluar shkallën e papunësisë”.

Është hera e tretë që nga viti 2008 që Rezerva Federale merr masa të tilla.
Banka Qendrore do të blejë letra me vlerë me kolateral të pronave të patundshme në masën 40 miliardë dollarë në muaj, që në thelb e shton furnizimin e tregut me para për të nxitur huamarrjen dhe për të inkurajuar bizneset dhe konsumatorët të shpenzojnë.

Por zoti Bernanke thotë se kjo mund të ndihmojë deri në një farë mase. Ai u bëri thirrje ligjvënësve të shmangin një krizë fiskale që mund të ndodhë nëse Kongresi nuk bie dakord për shkurtimet e shpenzimeve deri në fund të vitit.

“Nëse nuk zgjidhet kriza fiskale, unë mendoj se mjetet tona nuk kanë forcë të mjaftueshme për të kompensuar efektet e një tronditjeje të madhe fiskal, kështu që do të na duhet të mendojmë se çfarë duhet bërë në një situatë të tillë. Prandaj mendoj se është tepër e rëndësishme që hartuesit e politikave fiskale të punojnë së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë”.

Në Wall Street, masat e reja për të ndihmuar ekonominë shkaktuan rritjen e çmimeve në vlerat e para recesionit.

Por gëzimi mund të jetë i shkurtër. Ekonomistët paralajmërojnë se masat e reja mund të ngrejnë nivelin e inflacionit dhe mund të ulin vlerën e dollarit, gjë që Rezerva Federale thotë se do ta ndjekë nga afër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG