Lidhje

Rezervat e shumta monetare të Kinës dhe roli i saj në ekonominë globale

  • Mil Arsega

Rezervat e shumta monetare të Kinës dhe roli i saj në ekonominë globale

Rezervat e shumta monetare të Kinës dhe roli i saj në ekonominë globale

Dekada e kaluar solli ndryshime të thella në pejsazhin ekonomik global. Askund tjetër nuk ka qënë ky ndryshim më dinamik sesa në Kinë e cila feston këtë javë (1 korrik) 90 vjetorin e regjimit të partisë komuniste. Me mbi 3 trilionë dollarë rezerva në monedha të huaja, Kina është bërë një nga huadhënëset më të mëdha të botës – duke ia kaluar edhe huave të Bankës Botërore për vendet në zhvillim. Në serinë e parë të materialeve mbi influencën ekonomike të Kinës, do të ndalemi tek rezervat e mëdha monetare të Pekinit dhe debatin se sa e ka vlerën e vërtetë monedha e tij.

Nëse ekonomia globale do të ishte një lojë si Monopoli, Kina do të kishte pjesën më të madhe të parave. Shtetet e Bashkuara me një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto, do të kishin pjesën më të madhe të pasurive, por për shkak se SHBA-të marrin hua 40 cent për çdo dollar – një pjesë e mirë e atyre që fitojnë shkon për të paguar interesin e huave – pjesën më të madhe Kinës. Domenico Lombardi është ekspert në Institutin Brookings në Uashington.

"Qartësisht Kina është bërë kreditori më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara. Kjo e aftëson Kinën të ushtrojë presion të madh në bisedimet dypalëshe dhe këtë e shohim në kontekstin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara".

Është një sukses i paparë për një vend ku vetëm 30 vjet më parë gati 90 përqind e popullsisë jetonte në varfëri. Ish drejtori i Bankës Botërore për Kinën Jukon Huang është këshilltar i lartë në institutin Carnegie Endowment.

"Kina është tani ekonomia e dytë më e madhe, eksportuesi më i madh i botës dhe parashikohet në 10 apo 15 vjet të jetë ekonomia më e madhe e botës".

Duke u rritur me një ritëm të paparë prej rreth 8 përqind në vit, Kina është bërë një superfuqi ekonomike. Pa këtë rritje Lombardi thotë se ekonomia botërore do të ishte në një gjendje shumë më të rëndë sesa sot.

"Rritja e ekonomisë kineze ka mbështetur rritjen e ekonomisë globale si një të tërë".

Kohët e fundit, Kina e ka zgjeruar ndikimin e saj, duke investuar në Greqinë e zhytur në borxhe – e vëmendshme se një krizë evropiane mund të minojë ekonominë e saj të nxitur nga eksportet.

Por politikat monetare të Kinës janë kritikuar. Shumë thonë se Pekini e nënvleftëson monedhën e tij për t’i bërë eksportet më të lira. Pavarësisht premtimit të Kinës për të reformuar normën e këmbimit vitin e kaluar, huani është rritur vetëm 5 përqind përkundrejt dollarit.

Shtetet e Bashkuara fajësojnë nënvleftësimin e monedhës për defiçitin e lartë tregëtar me Kinën dhe humbjen e mijëra vendeve të punës.

Por eksperti Huang thotë se një monedhë më e fuqishme kineze do të eliminonte tregun për mallrat e saj me kosto të ulët – duke e detyruar Kinën të adoptojë modelin japonez: duke konkurruar kundër Shteteve të Bashkuara për tregjet e mallrave teknologjike dhe të çmimeve të larta.

"Norma më e lartë e këmbimit për mua do të krijonte më shumë fërkim me Shtetet e Bashkuara. Kjo do ta vinte konsumatorin amerikan në një pozitë më të vështirë. Por kush do të përfitonte nga norma më e lartë e këmbimit? Vendet e tjera me rritje të shpejtë ekonomike".

Në vend që të krijonin vende pune në Shtetet e Bashkuara, Huang thotë se kompanitë amerikane gjejnë krahun e punës më të lirë diku gjetkë.

"Ata nuk krijojnë punë në Shtetet e Bashkuara pasi këto pjesë dhe kompontentë prodhohen kudo, përfshi Kinën, kështu që amerikanët nuk i ndjejnë përfitimet. Por kompanitë fitojnë shumë".

Të tjerë thonë se monedha e zhvlerësuar e Kinës është një arsye që ekonomia e dytë më e madhe e botës është gjithashtu një nga më të varfërat. Prodhimi për frymë i Kinës është vetëm 4 mijë dollarë në vit, ndërsa hendeku i të ardhurave po zgjerohet dhe inflacioni po rritet. Ekonomistët thonë se kjo mund të sjellë probleme në të ardhmen.

"Modeli i tanishëm nuk është i qëndrueshëm për të ardhmen".

Banka qëndrore e Kinës thotë se reforma të mëtejshme për normën e këmbimit mund të jenë të nevojshme për të zgjidhur problemin. Kina po mundohet gjithashtu të diversifikojë portofolin e saj të borxhit të jashtëm për ta bërë huanin një alternativë më të fuqishme sesa euroja dhe dollari.

Ajo që tregon vendin unik të Kinës në botë, është pranimi i vetë Kinës se vazhdimi i suksesit të saj kërkon një ekonomi të shëndetshme globale – të aftë për të blerë mallrat që ajo prodhon.

XS
SM
MD
LG