Lidhje

Rezultatet paraprake, e majta ruan avantazhin e thellë


Deri në orën 16.00 janë numëruar afër 87 përqind e kutive të votimit. E majta llogaritet të jetë rreth 19 pikë më shumë se koalicioni i djathtë të cilit i ikën dhe fitorja në Kukës ku gara ndahet në barazim

Në Shqipëri, ndërsa janë numëruar afër 87 përqind e kutive të votimit, rezultatet e deritanishme, tregojnë se koalicioni i majtë i drejtuar nga Edi Rama ka ruajtur avantazhin e thellë që krijoi që në fillim të procesit të numërimit.

Në nivel kombëtar, e majta llogaritet të jetë, sipas këtyre të dhënave afër 19 pikë më shumë se koalicioni i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha. Opozita ka ruajtur epërsinë në 10 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit. Ndërsa në qarkun e Dibrës, ku numërimi ka përfunduar, rezultati është ndarë në mënyrë të barabartë, nga tre mandate për secilin koalicion.

Nga të dhënat e deritanishme, në 4 qarqet veriore, Aleanca për Shqipërinë Europiane kryeson në Shkodër, Lezhë dhe Dibër. Aleanca per Punësim, Mirëqënie dhe Integrim, e kryesuar nga Partia Demokratike, nuk arriti të mbante epërsinë as në Qarkun e Kukësit, i veti ku ajo kishte fituar. Në kutitë e fundit, e majta arriti t'i shkëpusë barazimin.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Partia Demokratike fitoi 18 nga 28 mandatet e 4 qarqeve veriore, rezultat që pritet të përmbyset në zgjedhjet e tanishme.

Procesi i numërimit po ecën me ngadalësi edhe në jug të vendit. Në qarkun e Gjirokastrës deri tani janë numëruar deri në mesditë 160 qendra nga 237 që ka gjithë qarku.

Nga rezultatet paraprake kryeson bindshëm koalicioni i majtë me më shumë se dyfishin e votave të koalicionit të djathtë.

Në shkallë vendi, deri tani sipas këtyre rezultateve ndarja në mandate përkthehet në 82-84 për koalicionin e majtë dhe 54-56 mandate për të djathtën. Brenda koalicionit të majtë bie në sy një numër shumë i lartë i mandateve të LSI-së, e cila mund të marrë deri 16 vende në parlament. Ndërsa brenda koalicionit të djathtë ka rritje të ndjehmë të PDIU-së, e cila parashikon të marrë 5 mandate, por edhe të PR-s, që mund të shkojë në katër të tilla.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, në vlerësimin e tyre paraprak thanë dje se zgjedhjet ishin aktive dhe konkurruese, por mosbesimi mes forcave politike dëmtoi mjedisin.
XS
SM
MD
LG