Lidhje

Rice hedh poshtë akuzat për përgjim të zotit Trump


Presidenti amerikan Donald Trump po lë të kuptohet se Susan Rice, këshilltarja për sigurinë kombëtare e paraardhësit të tij, Barack Obama, kishte përgjuar bisedat e këshilltarëve të zotit Trump me shtetas të huaj vitin e kaluar dhe kishte kërkuar të zbulonte identitetet e tyre për përfitime politike, një akuzë që zonja Rice tha sot se ishte “absolutisht e rreme”.

Në një intervistë me televizionin MSNBC, zonja Rice tha se pretendimi i para një muaji se presidenti Obama kishte urdhëruar përgjimin e tij, nuk ishte i vërtetë. Akuza e tij është hedhur poshtë edhe nga ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e zbulimit.

Por zoti Trump në një sërë postimesh në Twitter dy ditët e fundit, ka cituar njoftime mediash, sipas së cilave zonja Rice kishte “urdhëruar përgjimin e zotit Trump”.

Zonja Rice tha se në postin e saj në Shtëpinë e Bardhë, ajo shqyrtonte raporte zbulimi çdo ditë. Ajo shtoi se nuk ishte e pazakontë për të që t’u kërkonte zyrtarëve të zbulimit t’i tregonin emrin e individëve amerikanë që rezultonin nga përgjimet rutinë se kishin folur me agjentë të huaj.

Ajo tha se ky informacion u jepej më pas Sekretarëve të Shtetit dhe të Mbrojtjes dhe Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, në kuadër të punës së tyre për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Zonja Rice tha se asnjë nga informacionet nuk ishte përdorur në ndonjë kontekst politik kundër fushatës së zotit Trump në garën e tij për Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Ajo e hodhi poshtë një njoftim në media, sipas së cilit ajo kishte hartuar një listë emrash të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump, që mendohet se ishin regjistruar nga përgjimet.

Zonja Rice tha se nuk ekzistonte asnjë gjë e tillë, por se ishte “e mundur” që disa këshilltarë të zotit Trump mund të ishin përgjuar si pjesë e “një grumbullimi të rastësishëm” të të dhënave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG