Lidhje

Richardson, Schmidt në Korenë e Veriut


Ish ambasadori amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Bill Richardson dhe presidenti ekzekutiv i kompanisë Google Eric Schmidt filluan sot një vizitë jo-zyrtare në Korenë e Veriut. Vizita e tyre është cilësuar si një mision humanitar.

Vitet e fundit, Bill Richardson e ka vizituar disa herë Korenë e Veriut që është një vend komunist. Gjatë vizitës së tanishme, ai ka në plan të zhvillojë bisedime me zyrtarët vendas në lidhje me arrestimin e shtetasit koreano-amerikan Kenneth Bae, i cili po mbahet nën arrest nga Koreja e Veriut nën akuza të pa specifikuara për krime kundër shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka kritikuar udhëtimin e zotit Richardson. Por gjatë një ndalese në Pekin, zoti Richardson u tha sot gazetarëve se Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë arsye të jetë i shqetësuar për vizitën e tij në Korenë e Veriut.

“Është një vizitë pozitive. Ne nuk përfaqësojmë qeverinë amerikane. Kam qenë disa herë në Korenë e Veriut dhe kam negociuar me sukses me ta. Shpresoj që ne të bëjmë një vlerësim të Koresë së Veriut nën udhëheqjen e re të këtij vendi”.

Udhëtimi ndodh pasi Korea e Veriut kreu një provë me raketa me rreze të gjatë veprimi që i hap rrugën kryerjes së një prove të tretë me armë bërthamore.
Ish ambasadori Richardson thotë se ai është i shqetësuar nga programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe shpreson që ky udhëtim të ndihmojë Korenë e Veriut të lëvizë në “drejtimin e duhur”.

Zoti Shmidt është përfaqësuesi kryesor i kompanisë Google për marrëdhëniet me entitetet politike dhe qeveritare dhe është përkrahës i madh i qasjes në internet për njerëzit në mbarë botën.

Qasja në internet është e kufizuar në Korenë e Veriut. Vetëm të privilegjuarit dhe njerëzit me influencë kanë internet. Edhe mediat janë të kontrolluara nga shtetit. Pheniani kërkon që të gjitha radio stacionet dhe kanalet televizive të transmetojnë programet e miratuara nga qeveria.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG