Lidhje

Rick Perry, kandidat për garën presidenciale


Ish guvernatori i Teksasit Rick Perry deklaroi të enjten se do të kandidojë përsëri për garën e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2016. Perry bëhet kështu republikani i 10-të që shpall këtë vit zyrtarisht kandidaturën për president. Në mesin e një numri të madh kandidatësh republikanë, asnjëri prej tyre nuk duket se kryeson garën. Jeb Bush pritet të hyjë zyrtarisht në garë më 15 qershor.

I rrethuar nga familjarë dhe përkrahës, Rick Perry e njoftoi kandidaturën nga shteti i tij Teksas, në lagjen periferike Adison të Dallasit.

Rick Perry e fokusoi pjesën më të madhe të deklaratës së tij tek çështje për të cilat ai mendon se janë dështime të politikës së jashtme të Presidentit Barack Obama, përfshirë tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku dhe fuqizimin e grupit Shteti Islamik.

Për Irakun, zoti Perry tha: “Asnjë vendim nuk ka qenë më i dëmshëm se ai i Presidentit për tërheqjen e trupave tona nga Iraku." Sikurse shumë nga kandidatët e tjerë republikanë, Rick Perry u zotua për një politikë të jashtme më të fuqishme, në se ai zgjidhet vitin e ardhshëm: “Ne nuk duam të krijojmë një botë në kaos, apo një Amerikë që i pakëson përgjegjësitë e saj. Ne nuk na duhet të kërkojmë falje se jemi një vend i jashtëzakonshëm, apo për vlerat tona perëndimore", - tha ai.

Zoti Perry tha se po kandidonte "për t'i dhënë fund një epoke me udhëheqje të dështuar." Megjithatë është ende i freskët kujtimi i shpërthimit emocional të tij në vitin 2012, gjatë zgjedhjeve paraprake të Partisë Republikane dhe momenti i turpshëm për të, kur gjatë një debati ai nuk mbante mend një nga tre departamentet qeveritare për të cilat ai ishte zotuar se do t'i eleminonte.

Një garë me përherë e më shumë kandidatë

Rick Perry është kandidati më i fundit republikan që ju bashkua së fundi garës presidenciale të 2016-ës. Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, njoftoi pak ditë më parë kandidaturën e tij dhe ai tha se fokusi i tij në fushatë do të jetë gjithashtu politika e jashtme e në veçanti, lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik. “Unë dua të jem president për të mundur armiqtë që përpiqen të na vrasin. Jo vetëm për t'i dënuar, kritikuar, apo për t'i frenuar, por për t'i mundur ata!", - tha Graham.

Kjo shpallje e zotit Graham erdhi pak pas deklaratave të ish senatorit të Pensilvanisë Rick Santorum dhe ish guvernatorit të Nju Jorkut George Pataki. Santorum fitoi me një diferencë të ngushtë votash ndaj Mitt Romney-it në zgjedhjet paraprake të Ajovës në vitin 2012 dhe ai shpreson t'i aktivizojë përsëri vitin e ardhshëm konservatorët, megjithëse do të ndeshet me një konkurrencë të madhe nga kandidatët e tjerë konservatorë.

Ish guvenratori i Floridës Jeb Bush ka udhëtuar shumë këto kohë, duke grumbulluar miliona dollarë fonde për komitetin e tij të veprimit politik; ai po ashtu ka qenë nën presion kohët e fundit për ta njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij. Ai deklaroi në një intervistë të kohëve të fundit në programin "Face the Nation" të televizionit CBS: "Po i afrohem fundit të këtij udhëtimi nëpër vendin tonë, gjatë të cilit jam duke dëgjuar opinionin e njerëzve në se kandidatura ime do të ketë shanse për sukses".

Analisti i Universitetit të Virginias, Larry Sabato, thotë se fusha e garës për kandidatët republikanë mbetet e hapur. “Tre kandidatët të pozicionuar në krye mendoj se janë Jeb Bush, senatori i Floridës Marco Rubio dhe guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker. Kjo listë është e papërcaktuar mirë, sepse e tillë është situata. Kemi përpara një fushatë të gjatë dhe kanë për t'u shpenzuar qindra miliona dollarë vetëm për të marrë emërimin e partisë."

Një tjetër kandidat demokrat

Edhe kandidatët në betejën për emërimin e Partisë Demokrate, po ashtu po shtohen. Ish guvernatori i Rhode Island-it Lincoln Chafee ka hyrë gjithashtu në garë. Chafee bëhet rivali i tretë në garë për Hillary Clintonin, që kryeson garën e demokratëve.

Lincoln Chafee fitoi zgjedhjet për në Senat dhe garën e tij për guervantor si Republikan, por vitet e fundit ai kaloi me Partinë Demokrate. Kur ishte senator, Chafee ishte i vetmi republikan që e kundërshtoi luftën në Irak dhe ai citoi faktin që zonja Clinton votoi në favor të luftës në Irak si një nga arsyet kryesore për të cilën ai po kandidon.

Lincoln Chafee e filloi fushatën e tij me disa ide të pazakonta politike, siç është thirrja që Shtetet e Bashkuara të kalojnë në sistemin metrik, si dhe refuzimi për të përjashuar mundësinë e negociatave me grupin Shteti Islamik: “Pa dyshim, që tani na duhet të bëjmë një punë të jashtëzakonshme riparuese në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Na duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Na duhet të gjejmë mënyra të reja për të bërë paqe."

Lincoln Chafee i bashkohet senatorit të Vermontit Bernie Sanders dhe ish guvernatorit të Merilendit Martin O’Malley, si rivalët kryesorë të zonjës Clinton. Zoti O’Malley e ka filluar fushatën e tij në Baltimore, ku ai ka qenë më parë Kryetar Bashkie.

“Historia e ditëve më të mira për vendin tonë nuk mund të gjendet në librat e historisë, sepse ky brez amerikanësh kanë për ta shkrur atë!", - tha ai.

Mbështetja për zonjën Clinton ka rënë kohët e fundit, për shkak të debateve të shkaktuara kohët e fundit mbi përdorimin e emailit të saj privat kur ishte sekretare shteti, si dhe praktikat e grumbullimit të fondeve në Fondacionin Clinton, një organizatë jo-fitimiprurëse e krijuar nga bashkëshorti i saj, Bill Clinton.

Megjithatë, analistët mendojnë se zonja Clinton mbetet një favorite e fortë në garën e demokratëve. "Ajo e bazon fushatën e saj tek eksperienca e madhe që ka dhe mbështetja e partisë; ajo ka mbështetjen e të gjithë udhëheqësve të të gjitha grupeve fondmbledhëse dhe ky është një pozicion i fortë për ta filluar fushatën", - thotë John Fortier i Qendrës së Politikave Dypartiake në Uashingotn.

Përveç shpalljes së kandidaturës nga Jeb Bush, këtë muaj mund të ketë edhe të tjerë që do t'i bashkohen garës presidenciale. Guvernatori i Luizianës Bobby Jindal dhe Scott Walker, që të dy priten të njoftojnë synimin e tyre deri në fund të qershorit. Garës mund t'i bashkohen gjithashtu guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie dhe ai i Ohajos, John Kasich.

XS
SM
MD
LG