Lidhje

Ridley Scott me një tjetër pjesë të serisë Alieni

  • Mirela Milori

33 vjet më parë, filmi Alieni përcaktoi zhanrin horror të filmave fantastiko-shkencorë

Para 33 vjetësh, filmi Alieni përcaktoi zhanrin horror të filmave fantastiko-shkencorë. Për herë të parë publiku pa skena në të cilat përbindësh të frikshëm dilnin nga kraharori i njerëzve. Gjatë viteve të mëpasme, personazhi i Alienit apo Ksenomorfi, siç quhet, u shfaq shumë shpesh, si në filmat e tjerë të trilogjisë Alieni, ashtu dhe në shfaqje televizive, dhe madje edhe në komedi. Tani, regjisori Ridley Scott iu rikthye këtij zhanri me filmin Prometeu, që tregon historinë paraardhëse të filmave Alien. Por pavarësisht ngjashmërive midis filmave Alieni dhe Prometeu, regjisori Scott devijon nga origjinali.

Në fund të viteve ‘70, Ridley Scott krijoi dy personazhe shumë karakteristike: Alienin dhe Ellen Ripley, interpretuar nga Sigourney Weaver.

Ellen Ripley ishte personazhi i parë femër që luftoi një përbindësh në ekranin e madh. Roli vazhdoi në vitet ‘80 dhe ‘90.

Në filmin pasues të regjisorit James Cameron Alienët, ajo shpëton një vajzë të vogël nga nofullat e jashtëtokësorit. Instinktet prej nëne të Ellenit ngjasojnë me ato të mbretëreshës Aliene që mbron vezët e saj, kështu që është një luftë për jetë a vdekje.

Në Alien 3, Ellen Ripley vdes ndërkohë që një Alien fëmijë është gati të dalë përmes brinjëve të saj. Ajo vret veten, duke marrë pasardhësin e saj përbindësh me vete.

Trilogjia ishte novatore. Prej atëherë, gratë në filma nuk stepeshin para kundërshtarëve më të fuqishëm fizikisht.

Edhe pse personazhi kryesor në filmin e ri të Ridley Scottit nuk ishte në një roman, ajo ende mahnit shikuesit, thotë Noomi Rapace që luan Elizabeth Shaw, në filmin Prometeu.

"Ajo kthehet në një të mbijetuar, dhe shndërrohet në një ushtare dhe luftëtare, një heroinë tipike e Ridley-t."

Në film, Elizabeth Shaw është arkeologe. Gjatë gërmimeve, ajo gjen prova se njerëzit janë krijuar gjenetikisht nga jashtëtokësorët.

Zbulimet e saj frymëzojnë një mision për të gjetur krijuesit e njerëzimit. Eksploratorët shkojnë në planetin ku u zhvillua filmi i parë Alieni.

Por për Prometeun, Ridley Scott nuk ndjek të njëjtin model si në filmat e mëparshëm të serisë. Ky film i ri është më intelektual dhe vë në dyshim teorinë e evolucionit.

Regjisori thotë se Prometeu qëndron më vete.

"Mendoj se kemi trajtuar çështje të reja që i hapin derën një forme tjetër të të menduarit: më shumë guxim, më shumë kurajo, duke ngritur pyetje mbi krijuesit tanë dhe mbi cilët krijuan vetë ata."

Por filmi nuk ka patur të njëjtin sukses me paraardhësit e tij. Edhe pse efektet speciale janë shumë cilësore dhe filmi është në 3D, kërkimet shpirtërore të Ridley Scott nuk shkojnë siç duhet, madje as komploti.

Ndërkohë që prisnin për të parë filmin, disa të rinj shprehën skepticizëm.

"Nëse pritet të shihet një tjetër pjesë e filmit Alieni, mendoj se do të ketë zhgënjim."

"Pres diçka fantastike, dhe në qoftë se nuk është kështu dua të më kthehen paratë."

"Jam duke shkuar absolutisht pa asnjë pritje të veçantë. Unë përpiqem ta bëjë këtë me çdo film që shoh".

Filmi nuk është pritur me aq entuziazëm sa mendohej. Ridley Scott mund të ketë jetë dëmtuar nga vetë gjenialiteti i tij.
XS
SM
MD
LG