Lidhje

Rihapet pas restaurimit Teatri Howard i Washingtonit


Teatri Howard, një ndërtesë historike e Washingtonit, duket se ka rilindur.

Tingujt e muzikës tani mbushin përsëri këtë ndërtesë historike, e cila u ndërtua në vitin 1910, në atë kohë teatri më i madh në botë për artistë dhe spektatorë afrikano-amerikane. Ky teatër ze një pjesë të rëndësishme në historinë e afrikano-amerikanëve. Në vitet 1930, Duke Ellington, kompozitori dhe drejtuesi i kompleksit të famshëm muzikor nga Washingtoni, ka gjurmët e tij tek Teatri Howard.

Në skenën e teatrit po ashtu kanë interpretuar edhe artistët e famshëm me ngjyrë, si Diane Ross dhe grupi i rok end rollit “The Supremes”.

Këngëtari Marvin Gaye, fitues i çmimit Grammy e zbuloi talentin pikërisht në këtë teatër.

Kantautori i muzikës R&B Smokey Robinson ishte adoleshent kur interpretoi për herë të parë në këtë teatër. Ai, bashkë me muzikantë të tjerë me ngjyrë erdhën përsëri këtu për të festuar ringjalljen e teatrit:

“Unë u rrita në këtë teatër, ai ishte si një shtyllë mbështetjeje për ne. Këtu vinte në atë kohë edhe kompania e regjistrimit Motown Reviews. Ja kalonim shumë mirë këtu, prandaj jam tepër i lumtur që u hap përsëri.”

Për të festuar këtë ngjarje erdhi edhe aktorja dhe këngëtarja e Broadway-it Leslie Uggams.

“Në këto lloj teatrosh duhej medoemos të lije gjurmë me intrepretimin tënd, sepse publiku mbante një qëndrim tepër aktiv, kritik, prandaj dhe duhej të paraqiteshe sa më mirë. Përveç kësaj, për mua më e rëndësihme për këtë teatër, është se gjithshka që unë bëj tani në Broadway dhe tani unë jap 8 shfaqje në javë, e kam mësuar nga interpretimi në teatro si ky.”

Për dekada me radhë, në Teatrin Howard janë shfaqur estrada, drama, variete muzikore dhe shfaqje me talentet lokale. Teatri njihej si “Broadway - i njerëzve me ngjyrë”. Në vitet e segregacionit racial, afrikano-amerikanët mund të intrepretonin vetëm në teatro të këtij lloji.

Leatha Blount jetonte dy blloqe larg Teatrit Howard. Ajo shkonte atje si në një vend për t’u takuar me miq.

“Ishte njëlloj si të shkoje në një ballo në Harlem. Ne kërcenim nëpër rrugë, brenda në teatër dhe ja kalonim mjaft mirë”.

Por gjatë protestave raciale të vitit 1968, teatri u plaçkit. Ai u rihap në vitin 1975, si një ndërtesë historike, por vetëm për një kohë të shkurtër. Për të paktën 30 vjet, teatri kishte mbetur i mbyllur dhe i rrënuar. Dy vjet më parë, filloi një rinovim masiv i tij, që synonte t’i rikthente teatrit lavdinë e dikurshme. Tani ai është restauruar mjaft bukur nga brenda, me ndriçim bashkëkohor, me ekrane masive dhe të ngjall ndjenjën e kabareve.

Në ceremoninë e inaugurimit, mbizotëronte ndjenja e përgjithshme se projekti të ishte një sukses i madh. April dhe Edward Ellington erdhën këtu për të vizituar teatrin, ku i ati, i famshmi Duke Ellington, ngjallte emocione të forta tek publiku me interpretimin e tij.

“Kanë bërë një punë të shkëlqyer restauruese dhe unë e di që babai ynë e sheh këtë duke buzëqeshur.”

Steven Bensusan, president i kompanisë “Blue Note Entertainment”, tha se synimi është për ta bërë Teatrin Howard për Washingtonin, sikurse Klubi i Famshëm i Muzikës Xhaz i Nju Jorkut.

“Ne presim me kënaqësi pikërisht këtë funksion të teatrit: nxitjen e muzikantëve të rinj dhe njëkohësisht të përhapim fjalën se jemi duke e bërë Teatrin Howard gati për shekullin e 21”.

Tani që teatri madhështor është rihapur, drejtuesit e tij thonë se ai do të vazhdojë të jetë për breza me radhë, një Mekë për artistët afrikano-amerikanë.

XS
SM
MD
LG