Lidhje

Riker: Presim veprime konkrete nga autoritetet serbe kundër dhunës në veri

  • Ardita Simiçia
  • Washington

Riker: Presim veprime konkrete nga autoritetet serbe kundër dhunës në veri

Riker: Presim veprime konkrete nga autoritetet serbe kundër dhunës në veri

Është e pamundur të flitet për kontinentin evropian si një njësi e tërë, e lirë, demokratike dhe në paqe, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet parë edhe politika amerikane ndaj këtij rajoni, shprehet Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Filip Riker i cili dje zhvilloi një bisedë me një grup gazetarësh lidhur me politikat që ndjek Amerika ndaj Ballkanit Perëndimor.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker thekson se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e rajonit është në radhët e BE.

“Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara – qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjen apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë”.

Për arritjen e kësaj perspektive, zyrtari amerikan thekson se rruga e vetme mbeten reformat dhe dialogu. Zoti Riker ndalet tek zhvillimet e fundit në Kosovë, ku thekson shqetësimin e përbashkët të anëtarëve të NATO-s lidhur me trazirat në veri të vendit:

“Ritheksoj se përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është krejtësisht i papranueshëm. Ne dënojmë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit përshëndet deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, për heqjen e barrikadave, por thotë se kërkohet më shumë se thjesht fjalë:

“E kishim kërkuar prej muajsh që Beogradi të bënte një deklaratë sa më të drejtpërdrejt kundër dhunës. E përshëndesim deklaratën, por siç e tha edhe Këshilli i Atlantikut Verior, tani presin veprime konkrete nga autoritetet serbe”.

Zyrtari amerikan shprehet optimist që palët janë rikthyer në bisedime, si i vetmi forum funksional për të zgjidhur mospajtimet. Ai përshëndet marrëveshjet e arritura, por u kujton Beogradit dhe Prishtinës se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është pjesë kritike e procesit.

Zoti Riker vlerëson qëndrimin e deritanishëm të Prishtinës zyrtare, por u bën thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe në veri:

“Ata duhet të përqendrohen edhe në politika për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit serbëve në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se çfarë ofron qeveria e Prishtinës dhe në këtë mënyrë të eliminojë disa prej shqetësimeve të popullatës në veri”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit e pranon se mbeten sfida të mëdha për rajonin, por u kundërvihet me ngul analizave pesimiste të gjendjes në Ballkanin Perëndimor. Të mos harrojmë, thotë zyrtari amerikan, se më pak se dy dekada më parë, shumë nga këto vende ishin të përfshira në konflikte të përgjakshme në shkallë të gjerë dhe tani i gjithë rajoni ka përpara një perspektivë të qartë evropiane.

XS
SM
MD
LG