Lidhje

Rimëkëmbja e Ukrainës pas Janukoviçit


Sipas të dhënave, qeveria e Presidentit të rrëzuar të Ukrainës Viktor Janukoviç ishte shumë e korruptuar. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij thuhet se kanë vjedhur miliarda dollarë nga shteti, i cili tani ndodhet në rrethana financiare shumë të rënda. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim rrugës së Ukrainës drejt rimëkëmbjes dhe sfidave të shumta me të cilat përballet.

Pasi Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç u largua në fund të shkurtit, shumë njerëz shkuan në shtëpinë dhe pronat e tij pranë kryeqytetit Kiev, për të parë luksin e shfrenuar të mënyrës së tij të jetesës.
Rezidenca e madhe prej druri dhe 137 hektarët tokë rreth saj, vlerësohet se kushtojnë më shumë se 75 milionë dollarë. Vetëm orenditë e sallës së ngrënies dhe të një dhome çaji thuhet se kushtojnë rreth 2,3 milionë dollarë. Kudo që hidhen sytë, vila është e mbushur me luks të përshtatshëm për një perandor.

Prona ishte fillimisht shtetërore. Presidenti Yanukovych e privatizoi dhe gjasat janë që për mobilimin e saj të ketë paguar nëpërmjet vjedhjes dhe korrupsionit. Ai thuhet se lejoi gjithashtu që anëtarë të rrethit të tij të ngushtë të vidhnin vendin.
Shuma e marrë është tronditëse, thotë Anders Aslund i Institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare.

"Kryeministri Arseniy Yatsenyuk ka përmendur 37 miliardë dollarë si shumën e përgjithshme të vjedhur nga regjimi i Janukoviçit. Kjo përfshin anëtarë të tjerë të regjimit që konsiderohen si "familja" e tij, pra rrethi i tij i brendshëm, si Andrei Khluyev dhe Borys Kolesnikov. Qeveria ukrainase e ish-presidentit Yanukovych mund të shihet si një grup i krimit të organizuar, qëllimi më i madh i të cilit ishte të merrte nga shteti sa më shumë para që të mundej."

Qeveria e re e Ukrainës, nën drejtimin e Kryeministrit të përkohshëm Arsenyi Yatsenyuk, është duke punuar me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe subjekte të tjera për të ngrirë llogaritë bankare që kanë lidhje me zotin Janukoviç dhe rrethin e tij të brendshëm, me shpresë për të rimarrë disa prej shumave që ata vodhën.

Perëndimi është plotësisht fajtor për këtë aktivitet dhe duhet të marrë përgjegjësi, thotë Nathaniel Heller i grupit mbikëqyrës Global Integrity.

"Të injorosh rolin që luajtën institucionet financiare të Perëndimit, pra institucionet shumëpalëshe, do të thotë jo vetëm ta shohësh gotën gjysmë plotë, por do të thotë gjithashtu të shohësh vetëm gjysmën e gotës."

Ndërsa Ukraina përballet me krizën e vështirë ekonomike dhe politike, Anders Aslund rekomandon dy veprime të menjëhershme që sipas tij ligjvënësit duhen të ndërmarrin për të luftuar korrupsionin endemik.

"Gjëja e lehtë për t’u bërë është të miratohet një ligj për tendera me bazë konkurruencën në sektorin publik. Duhet të ‘pastrohet’ industria e gazit natyror, e cila ka qenë qendër kryesore e korrupsionit, çka do të thotë të rregullohen çmimet e gazit në të gjitha nivelet në shifrat e tregut ose të kostos së nxjerrjes."

Zoti Aslund dhe analistë të tjerë thonë se reformat janë të nevojshme edhe në sistemin gjyqësor të Ukrainës, i cili konsiderohet gjerësisht si i korruptuar. Në mënyrë që ligjet të japin rezultate, thonë ata, duhet që të ketë gjyqtarë të gatshëm të cilë vërtet të ndëshkojnë njerëzit që marrin para nga shteti dhe i fusin në xhepat e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG