Lidhje

Rima Fakih, Miss USA, në sytë e komunitetit arabo-amerikan

  • Kane Farabaugh

Rima Fakih, Miss USA, në sytë e komunitetit arabo-amerikan

Rima Fakih, Miss USA, në sytë e komunitetit arabo-amerikan

Rima Fakih, e lindur në Liban, fitoi këtë vit kurorën e konkursit të bukurisë Miss USA. Ajo është e para arabo-amerikane dhe myslimane që e fiton këtë titull dhe ka tërhequr mbështetje të gjerë në qytetin e saj Dearborn të Michiganit. Por mes entuziazmit për fitoren e saj, janë ngritur edhe shqetësime se konkursi dhe fotografitë provokuese që bëri për katalogun e Miss USA, bien ndesh me vlerat konservatore të besimit të saj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rima Fakih iu përgjigj këtyre shqetësimeve si dhe foli për ambicjet e saj si Miss USA, dhe në përgatitje për konkursin Miss Universe këtë verë.

Rima lindi në Liban dhe e kaloi fëmijërinë në Nju Jork, por ajo konsideron Dearborn të Miçiganit si qytetin e saj.

“Nëse largohesh nga Libani e vjen në Dearborn, të duket sikur nuk ke ndërruar vend”.

Dearborn ka përqendrimin më të madh të arabo-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara dhe zonjusha Fakih ka mbështetje të madhe këtu.

“Njerëzit ishin shumë skeptikë që një arabo-amerikane, një myslimane mund të arrinte kaq shumë”.

Imad Hadad, drejtori rajonal i Komitetit Amerikano-Arab kundër Diskriminimit është një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Rimas në Dearborn:

Disa ditë pas konkursit Miss USA, telefoni nuk pushon nga kërkesat për intervista nga e gjithë bota. Ata duan të dinë se si ndjehet zoti Hadad që Rima fitoi.

“Ky është një vend i madh imigrantësh dhe fakti që një imigranteje i jepet shansi të bëhet Miss USA, kjo dëshmon vlerat tona të vërteta amerikane dhe na bën krenarë për ndjenjat tona të amerikanizmit”.

Por disa myslimanë e kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e Rimas ndaj besimit të saj. Familja e saj është e sektit shiit dhe disa mendojnë se nuk ka përqafuar vlerat e besimit, pasi ajo doli me kostum banje gjatë konkursit. Fotografitë e saj duke kërcyer në mënyrë provokuese para se të konkuronte për Miss USA, kanë ngjallur shumë shqetësime:

“Nuk e di përse njerëzit mund ta shohin atë si shembull për vajzat myslimane. Ajo nuk shërben si shembull”.

Osama Siblani boton të përjavshmen Arab-American News në Dearborn. Fitorja e Rimas në konkursin Miss USA është një lajm kryesor për botimin e tij. Megjithëse nuk mendon se Rima Fakih shërben si shembull për myslimanët, ai thotë se nuk është me vend të diskutohet besimi i saj.

“Ky është konkursi i bukurisë, Miss USA. Organizatorët kanë rregulla dhe standarte të përcaktuara për përzgjedhjen e fitueses. Ndër këto rregulla nuk përfshihet besimi fetar”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rima flet për veten dhe pikëpamjet e saj:

“Familja ime është myslimane. Pra kam lindur në një familje myslimane, por kam në familje edhe të afërm katolikë apo të besimeve të tjera. Im atë na ka rritur liberalë. Ne nuk përkufizohemi nga besimi. Ne e shohim veten si myslimanë liberalë dhe ka plot të tjerë si ne”.

Imad Hamad thotë se edhe myslimanët konservatorë duhet ta mirëpresin suksesin e Rimas:

“Edhe ata me bindje të rrepta fetare, të cilët mund të mos jenë dakord me këtë koncept, ashtu si nuk janë dakord me konsumin e mishit të derrit, apo bixhozin, apo pijet alkoolike, nuk mund ta mohojnë se ky është një rol shumë prestigjoz dhe i rëndësishëm dhe e kuptojnë se do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të arabëve në përgjithësi, veçanërisht pas tragjedisë kombëtare të 11 shtatorit”.

Rima Fakih shpreh entuziazëm për të dhënë ndihmën e saj në ndryshimin e imazhit të arabo-amerikanëve. Ajo thotë se pavarësisht se çfarë drejtimi merr jeta e saj, ajo do t’i mbetet besnike prejardhjes së saj, dhe atdheut të saj të ri:

“Ky vend vazhdon të jetë i bazuar në mundësi dhe liri dhe të gjithë ne jemi të barabartë, pavarësisht se kush jemi. Im atë thotë gjithnjë se askush nuk e di se kush është, deri kur mëson se nga vjen. Mendoj se unë e mishëroj mirë këtë thënie”.

Një tjetër objektiv përpara për Rima Fakih, konkursi Miss Universe në gusht në Las Vegas.

XS
SM
MD
LG