Lidhje

Tiranë: 30 mijë euro për ndihmë në zbardhjen e vjedhjes së aeroportit


Në Shqipëri policia njoftoi se po i ofron një shpërblim prej 30 mijë euro kujtdo qytetari që jep informacion dhe ndihmon në kapjen e 3 vjedhësve të afro 1 milionë eurove në aeroportin e Rinasit të enjten në pistën e fluturimeve.

Prokuroria e Krujës ndaloi 5 drejtues dhe punonjës, që siguronin aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” dhe nisi hetimet për vjedhjen.

Prokuroria deklaroi se Arben Karafili, shef i stacionit të kompanisë ICTS Albania pranë aeroportit lejoi depërtimin e vjedhësve me automjet në një portë, duke nënvlerësuar rrezikun në atë pikë të perimetrit rrethues të aeroportit.

Ai ishte personi përgjegjës për sigurinë e aeroportit, por nuk ka kryer asnjë veprim aktiv që do të parandalonte vjedhjen.

Atij nuk iu gjet asnjë detyrë shkruar, asnjë raport, asnjë ndëshkim për vartësit e sigurisë.

Sipas prokurorisë, agjentët e sigurisë Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, nuk kanë kryer patrullimin e brendshëm të aeroportit, dhe as veprim të tjera aktive për të parandaluar, për të evidentuar dhe koordinuar veprime, që cënojnë sigurinë e aeroportit.

Drejtori i Shërbimeve Aeroportuale, Vangjel Nikolla, është përgjegjës sepse në kohën e vjedhjes nuk kanë funksionuar elementët e sigurisë, ngarkon me pergjegjësi personin e mësipërm. Prokuroria tha se shoqëruesi i parave të bankës, Kujtim Picari, ka marrë furgonin e blinduar pa shoferin e firmës dhe ka mbajtur të hapura dyert e mjetit, duke u dhënë mundësinë autorëve të ngjarjes të futen në kasafortën e mjetit dhe të vjedhin sasinë e parave.

Grabitësit realizuan vjedhjen brenda 5 minutave, kapërcyen gardhin e jashtëm, thyen drynin e një prej portave hyrëse, hynë me mjetin e tyre në mjediset e aeroportit ku shumë pranë pistës gjendej mjeti i blinduar që transportonte paratë e një banke private.

As këtu nuk hasën asnjë rezistencë dhe pasi grabitën rreth 1 milion euro, u larguan sërish të pashqetësuar.

Drejtori i Policisë Ervin Hodaj deklaroi dje se njësi të shumta të policisë dhe ekspertëve të saj u angazhuan së bashku me prokurorët për zbulimin e autorëve.

Dyshimet kryesore bien mbi shoqëritë e sigurisë, si atë që mbikqyrte aeroportin ashtu dhe shoqërinë e cila bënte transportin e parave, edhe për shkak të lehtësisë me të cilën grabitësit kanë mundur të vjedhin automjetin e blinduar.

Grabitja e rrallë ka ngritur shumë pikëpyetje dhe mbi vetë policinë.

Por Drejtori i Tiranës Ervin Hodaj hoqi peshën e përgjegjësisë, duke e kaluar atë te kompania e huaj Tirana International Airport e cila ka në konçesion aeroportin.

“Në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarje që ndodhin në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), të cilët sipas policisë kanë njoftuar për ngjarjen pesë minuta pas ajo ka ndodhur” - tha ai.

Po ashtu sipas drejtorit Hodaj “në bazë të Marrëveshjes Konçensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë eksluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.

Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport”, shpjegoi Hodaj sipas të cilit kompania ka refuzuar të marrë parasysh edhe shkresat që dy vjet më parë i ishin dërguar ku tërhiqej vëmendja për problemet me masat e sigurisë.

Vetë shoqëria Tirana International Airport, që administron aeroportin, ka vazhduar të heshtë. Edhe dje, i vetmi komunikim i saj ishte se “nuk kemi komente”.

Por ajo që bie në sy është se policia duket se është mjaftuar vetëm me disa shkresa të nisura në vitin 2014, apo me ngritjen e këtij shqetësimi dhe në një mbledhje të marsit të këtij viti, ndërkohë që aeroporti është një objekt i sigurisë së veçantë, aq më tepër në një situatë ku aktet terroriste po konsiderohen prej kohësh si një kërcënim serioz në të gjithë botën.

Vetëm pak orë pas atentateve të ndodhura në aeroportin e Stambollit mbrëmjen e së martës, policia njoftoi për një përforcim të masave të sigurisë.

Për Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla “rezultuan joefikase dhe kjo u dëshmua gjatë grabitjes së një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve” e për këtë arsye “ka urdhëruar nisjen e hetimeve për drejtues dhe zyrtarë të Policisë, të cilët janë përgjegjës për zbatimin e masave të shtuara të sigurisë në aeroportin e Rinasit, pas atentateve terroriste në Stamboll”, shpjegohet në një njoftim të Prokurorisë.

Për opozitën “ngjarja e djeshme në Rinas është dëshmi e shkallmimit të çdo standardi sigurie në vend, dhe konfirmim se Shqipëria dhe shqiptarët janë më të ekspozuar se kurrë dhe më të pambrojtur se asnjëherë më parë nga krimi dhe pasojat e tij.

Kjo ka ardhur nga lehtësia që krimi ka për të shkelur edhe në vende e territore që duhet të ishin të paprekshme”, deklaroi nënkryetari i Partisë demokratike Edi Paloka.

“PD i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të kryejë një hetim të shpejtë e të plotë pasi është cënuar rëndë siguria kombëtare e vendit dhe i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e të bëhet çdo analizë e të dalë çdo përgjegjësi për këtë krim të rëndë, që e ka nxjerrë vendin tonë të rrezikuar e të pasigurtë, pikërisht në kohën e kërcënimeve të mëdha të terrorizmit”, shtoi zoti Paloka.

Thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga presidenti e kërkoi dhe Luan Rama, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, aleatja kryesore e socialistëve në qeveri.

“Përgjegjësitë e kompanisë private të sigurisë së aeroportit nuk mund të shërbejnë si alibi për të shmangur përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që kanë detyrimin kushtetues të garantojnë rendin dhe sigurinë kombëtare! Kryeministri duhet të nxjerrë përgjegjësinë e institucioneve shtetërore, pasi është në tagrin e tij koordinimi dhe bashkëveprimi i tyre”, deklaroi Luan Rama, duke nënvizuar se “ngjarja në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare.

Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit.

Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme!”, deklaroi përfaqësuesi i LSI-së.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG