Lidhje

Të rinjtë amerikanë më të kujdesshëm me shpenzimet


Edhe përpara se të fillojnë jetën profesionale, shumë të rinj amerikanë janë të rënduar prej borxheve që duhet të shlyejnë për shkollimin në universitet. Shqetësimi nëse do t’ja dalin mbanë të paguajnë për kredinë studentore e zmbraps shpesh brezin e ri të mijëvjeçarit, të grupmoshës 18 deri në 35 vjeç, nga përdorimi i kartave të kreditit. Kjo tendencë e re mund të ketë efekte afatgjata për ekonominë.

Stefanie O’Connell u diplomua në degën e dramaturgjisë në Universitetin e Nju Jorkut dhe mbart një borxh të madh. Me mundësi të pakta punësimi, ajo u bë e kujdesshme për financat e saj. Kjo e udhëhoqi atë drejt një karriere krejtësisht të re – si eksperte financiare. Nëpërmjet faqes së saj në internet për menaxhimin e pasurisë, ajo ka zbuluar se shumë prej brezit të ri të mijëvjeçarit ngjasojnë me të.

“I qëndrojnë larg të shpenzuarit përtej mundësive të tyre. U ruhen opsioneve si kartat e kreditit. I shmangen ndëmarrjes së çfarëdolloj risku, qoftë edhe një investimi të mençur.”

Konkluzionet e nxjerra prej zonjës O’Connell përmes faqes së saj në internet, mbështeten edhe nga të dhënat e Bankës së Rezervës Federale, sipas së cilës përqindja e amerikanëve nën 35 vjeç me borxhe të kartave të kreditit ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1989.

Kartat e kreditit janë një pjesë integrale e sistemit financiar në SHBA. Pa një të tillë, bëhet më e vështirë për të rinjtë të blejnë mallra dhe shërbime, që nga celulari dhe deri tek apartamenti i banimit.

“Është tepër e rëndësishme për një të ri që të grumbullojë pikë të larta krediti. Kjo nuk do të thotë që të marrësh kredi të tepruara, por që të dëshmosh se je në gjendje të menaxhosh kreditin tënd, se je një shlyerës i përgjegjshëm dhe se nuk zhytesh përtej mundësive të tua.”

Aplikacione si “Level Money”, të emërtuara ndryshe si ‘busulla financiare’, i ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë kreditin e tyre ndërsa jetojnë brenda mundësive të tyre financiare. Aplikacioni shërben si një këshilltar online, duke i ndihmuar të shpenzojnë më mirë dhe të mos hyjnë më tej në borxhe.

XS
SM
MD
LG