Lidhje

Skandale e peripeci shoqërojnë Olimpiket e Rios


Lojërat Olimpike në Rio hapen zyrtarisht sot. Ceremonia e hapjes gjithmonë pritet me kuriozitet dhe entuziazëm, por vetë Lojërat rrallë herë kalojnë pa probleme. Edhe Lojërat e Rios kanë përjetuar disa peripeci, ende pa filluar.

Flamuri Olimpik u soll me anije në Rio. Pasi u prit me protesta në rrugë, organizatorët u detyruan të ndryshojnë itinerarin e flakës olimpike.

Por Lojërat e sivjetshme kanë parë edhe probleme të tjera. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Agjencia Botërore Anti-Doping janë vënë përballë njëra-tjetrës në skandalin e dopingut të sportistëve rusë që ka kërcënuar pjesëmarrjen e gjithë ekipit rus në Olimpike.

Rreziku i Zikës përbën një kokëçarje më vete. Në Brazil mbi 1700 foshnje kanë lindur me probleme që besohet se janë shkaktuar nga virusi Zika që përcillet nga mushkonjat.

Gjiri i Guanabaras, ku do të zhvillohen një numër garash rezulton i ndotur nga ujërat e zeza dhe mbeturinat. Specilistët kanë bërë paralajmërime:

“Vaksinoni sportistët. Paralajmërojini të mos gëlltisin ujë gjatë garave dhe të shmangin lagien nga uji,” paralajmëron një biolog.

Shqetësime për dhunë të tepruar janë ngritur nga Amnesty International:

“Gjatë periudhës tre mujore prill-qershor është rritur 100% numri i personave të vrarë nga policia në Rio krahasuar me të njëjtën periudhë vjet,” thotë Renata Neder e organizatës Amnesty International.

Sportistë nga mbarë bota kanë mbërritur në Rio. Për disa, si mundësja indiane Sakshi Malik, lavdia e Olimpikeve e tejkalon rrezikun.

“Sa e çuditshme si ndryshojnë njerëzit. Tani u ka lindur interesim për mua, pasi po përparoj. Por në fillim nuk më mbështesnin. Vetëm familja dhe trajnerët më mbështesnin, të tjerët më pyesnin përse kisha hyrë në sport çunash”.

Gjimastja ritmike nga Ukraina Ganna Rizatdinova thotë se lojërat i japin mundësi shpagimi për aneksimin e Krimesë nga Rusia.

“Dua t’i tregoj gjthë botës se jemi të fortë, të fortë në shpirt dhe se e gjithë situata në Krime na ka bërë më të fortë si ekip. Nuk e mendojmë të kalojmë me ekipin rus”.

Mbi 11 mijë sportistë janë regjistruar për të konkurruar në Lojërat e Rios.

Megjithë skandalet, ujin e ndotur, mushkonjat dhe protestat, pjesëmarrja mbetet kurorëzimi i ëndrrave të një jete. Sporti, mbi të gjitha, është ngadhnjimi mbi vështirësitë.

XS
SM
MD
LG