Lidhje

Ristani: Procesi ka nisur me shkelje ligjore


Ristani: Procesi ka nisur me shkelje ligjore

Ristani: Procesi ka nisur me shkelje ligjore

Disa deputetë të parlamentit shqiptar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste dorëzuan mandatet e tyre parlamentare, sepse do të kandidojnë për bashkiakë në zgjedhjet vendore të 8 majit. Partitë kryesore hartuan platformat e bashkëpunimit në koalicione me aleatët dhe po mbyllin listat me emrat e kandidatëve të tyre për bashki e komuna. Në Partinë Socialiste po shqyrtohen kandidaturat e fundit, ndërsa në qytetet e mëdha do të rikandidojnë bashkiakët socialistë aktualë.

Partitë pjesëmarrëse të parlamentit pritet të mblidhen nesër në një tryezë të përbashkët për të diskutuar ecurinë e procesit zgjedhor, dhe mundësitë e bashkëpunimit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje partive që të regjistrojnë kandidatët përpara mesnatës, sepse sot skadon afati për regjistrimet. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bëri të ditur se nesër KQZ do të diskutojë pranimin e komisionerëve socialistë në Komisionet Zonale të Zgjedhjeve. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Tiranë, Ilirian Agolli, zoti Ristani tha se procesi ka nisur me shkelje ligjore. Ai tha se për mbarëvajtjen e zgjedhjeve nevojitet zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi i gjithë pjesëmarrësve politikë…

Zëri i Amerikës: Zoti Ristani! Sipas Kodit Zgjedhor sot është afati i fundit që koalicionet partiake të regjistrojnë kandidatët për zgjedhjet vendore të 8 majit. Si kanë shkuar regjistrimet?

Arben Ristani: Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat jo më shumë se 40 ditë nga zgjedhjet që partitë, koalicionet apo kandidatët e pavarur duhet të regjistrohen për zgjedhjet që vijnë. Për sa i përket pjesës tjetër të Shqipërisë, përveç Tiranës, kam informacione nga komisionet e nivelit të dytë që partitë po shkojnë për të regjistruar listat e tyre të kandidatëve për këshillat dhe të kandidatëve garues për bashkitë. Përsa i përket Tiranës ka një boshllëk, por është zgjidhur me një vendim të KQZ. Janë njoftuar partitë që kandidatët dhe listat e këshilltarëve për Tiranën do të regjistrohen pranë KQZ. Po i presim partitë të regjistrohen dhe KQZ do të qëndrojë i hapur deri pas mesnate për ta kryer këtë regjistrim.

Zëri i Amerikës: Të paktën me regjistrimet po zbatohen afatet, por çfarë do të bëhet me futjen e komisionerëve socialistë në komisionet zonale.

Arben Ristani: PS dhe PBDNJ kanë shkelur cdo afat ligjor lidhur me prurjen e propozimeve për komisionerët e nivelit të dytë. Pas shumë negociatash dhe thirrjesh nga KQZ, përsëri nuk u arrit qëllimi që ata të respketonin afatin, dhe çështja tashmë është jashtë afatit ligjor, por megjithatë ata kanë prurë propozime. Ne jemi duke i shqyrtuar propozimet. Administrata e KQZ ka konstatuar një numër mangësish në dokumentacionin e të propozuarve, si edhe një problematikë lidhur me përqindjen e gjinisë femërore në listat e Partisë Socialiste. Është komunikuar me ta që të plotësohen këto mangësi dhe besoj që nesër, të martën, mund të ketë një mbledhje të KQZ për t’i emëruar ata në detyrë. Kjo bëhet për të krijuar balancën që ligji parashikon, por në këtë temë KQZ është i detyruar që të veprojë në një fushë ekstraligjore, ku e ka çuar shkelja me arrogancë e ligjit nga Partia Socialiste dhe PBDNJ.

Zëri i Amerikës: Zoti Ristani! Sa e kanë penguar punën e KQZ mungesa e vazhdueshme e disa prej antarëve të komisionit në shqyrtimin e materialeve, në marrjen e vendimeve?

Arben Ristani: Dy antarë të KQZ, edhe ata në shkelje të ligjit, ka disa kohë që nuk marrin pjesë në mbledhjet e KQZ dhe i bojkotojnë ato, duke sjellë mungesën e debatit në KQZ, mungesën e mendimit të tyre të kualifikuar, për të cilin ne kemi nevojë. Por, nga ana tjetër, mungesa e tyre ka prurë edhe një të keqe të madhe, sepse nuk kemi mundur të nxjerrim akte me fuqi normative në të gjithë territorin. Këto akte do të bënin të mundur sidomos përmirësime lidhur me vërejtjet që ka bërë raporti i OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e kaluara, vërejtje që do të kërkonin ndryshime ligjore. Ndryshimet ligjore nuk janë në dorë të KQZ. Ne kishim në dorë që të rregullonim diçka përmes akteve tona në bazë dhe për zbatim të ligjit, akte të cilat sipas ligjit duan pesë vota dhe këto pesë vota ne na kanë munguar për shkak se ata në mënyrë të paligjshme kanë bojkotuar mbledhjet e KQZ.

Zëri i Amerikës: Si po shkon puna me përgatitjet e tjera materiale e logjistike?

Arben Ristani: Ne kemi bërë të gjithë punën paraprake që duhet për to. Kanë mbaruar tenderimet dhe po presim furnizimet nga shoqëritë fituese. Kuptohet që edhe gjithë situata është në ankth deri në castin e fundit, sepse kështu shkon. Mendojmë se nuk do të ketë pengesa apo probleme. Deri tani situata është në rregull. Ne i kemi marrë masat tona. Shpresojmë që partnerët që bashkëpunojmë të jenë korrekt në bazë të kontratave që janë lidhur. Materialet janë tërësisht moderne dhe sipas standarteve më të mira.

Zëri i Amerikës: KQZ ka marrë vendim që rolin e komisioni zonal për tiranën ta luajë vetë. A është kjo një ngarkesë shtesë për ju dhe a keni shqetësim se kjo mund të kundërshothet nga opozita?

Arben Ristani: Çdo gjë që është në boshllëk apo që duhet rregulluar lidhur me zgjedhjet, është KQZ që do t’i zgjidhë këto probleme, pavarësisht se shtohet apo jo puna e tij. Ne jemi të angazhuar për të zgjidhur problemet që krijohen. Për sa i përket regjistrimit për Tiranën dhe nxjerrjes së rezultatit për Tiranën ka një praktikë nga 2007, por në fakt atëherë ashtu e parashikon ligji, kurse tani jo nuk e parashikon një gjë të tillë. KQZ do të jetë ai që do të regjistrojë kandidatët për Tiranën dhe që do të nxjerrë rezultatin për Tiranën.

Zëri i Amerikës: Pyetja e fundit. Si po ju duket atmosfera parazgjedhore ku po hyjnë partitë kryesore konkurrente?

Arben Ristani: Është e dëshirueshme që zgjedhjet të konceptohen si një festë e demokracisë dhe ashtu duhet të jetë. Ne kemi bërë gjithmonë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet t’i trajtojmë si festë, sepse ashtu janë në realitet. Por për fat të keq këto zgjedhje po shkojnë me tension dhe ajo që është më e dënueshme dhe më e rëndë ëshë se po shoqërohen me shkelje të vazhdueshme të ligjit, dhe për më tepër me shkelje në mënyrë arrogante. Kjo do të vështirësojë sidomos klimën por edhe punën për të patur zgjedhje të mira dhe me të gjitha standartet. Ne si KQZ do të bëjmë atë që na takon ne dhe lusim dhe dëshirojmë që edhe partitë politike të bëjnë atë që iu kërkon ligji, zgjedhësit shqiptarë, stadi i zhvillimit të vendit, dhe aspiratat e qytetarëve për të qenë pjesë e vendeve të zhvilluara të Europës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG