Lidhje

Rivaliteti mes SHBA dhe Kinës po pasqyrohet në të ardhmen e pasigurt të Sudanit

  • Nico Colombant
  • Zëri Amerikës

Rivaliteti mes SHBA dhe Kinës po pasqyrohet në të ardhmen e pasigurt të Sudanit

Rivaliteti mes SHBA dhe Kinës po pasqyrohet në të ardhmen e pasigurt të Sudanit

Kongresi amerikan po shqyrton plane për të nxitur Sudanin që t’u përmbahet zotimeve të mëparshme për paqe nëse dëshiron normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo ditët e fundit, Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, lavdëroi Kinën për bashkëpunimin me vendet e Afrikës.

Projektligji amerikan, i cili mbështetet nga dy partitë, pritet të miratohet para fundit të vitit. Ky propozim është bërë ndërkohë që po shtohet prania diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Sudanin jugor.

Kina, ndërkohë, po sigurohet që miqësia me qeverinë në Kartum të mos dëmtohet, ndërsa thellon lidhjet e veta me jugun.

Kinezët kanë blerë sasi të mëdha nafte, e cila prodhohet në jug por kalon nëpër tubacione në veri, duke e lidhur kështu Kinën me të dy pjesët e vendit.

Në vitet e fundit, Kina po ashtu i ka ofruar qeverisë në Kartum pajisje ushtarake dhe mbështetje diplomatike. Zyrtarët kinezë kanë thënë se përkrahin Sudanin të bashkuar, por se do të nderojnë rezultatin e referendumit nëse jugorët zgjedhin pavarësinë.

Akademiku amerikan Erik Rivs, studiues i çështjeve të Sudanit në Kolegjin Smith, i quajti lojërat olimplike të 2008-ës në Pekin, “Olimpiada e gjenocidit” për shkak të luftës në krahinën perëndimore sudaneze të Darfurit dhe lidhjeve të Kinës me konfliktin.

Zoti Rivs thotë se edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të duan paqe në Sudanin jugor, zyrtarët në Kartum kanë plane të tjera.

“Mendoj se mundësia më e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën është që të punojnë së bashku. Kartumi ka gëzuar mbrojtje diplomatike nga Pekini tepër gjatë në Këshillin e Sigurimit. Disa gjëra ndryshuan me fushatën “Olimpiada e gjenocidit” që e fillova unë sepse ishte në interesin e vetë kinezëve që olimpiada e tyre, paraqitja e tyre para botës, të mos njollosej si “olimpiadë gjenocidi”. Por Kinës nuk i kërcënoheshin asnjëherë interesat ekonomike me ndihmën që i jepte Kartumit. Tani, s’është më ashtu. Kam përshtypjen se Kartumi ose do të anulojë, shfuqizojë ose ushtarakisht do të pengojë zbatimin e rezultatit të refendumit për vetëvendosje nëse ky lejohet që të zhvillohet në radhë të parë.” - thotë ai

Një ish-ambasador amerikan në Afrikë, Dejvid Shin, thotë se Kina i bëri trysni Kartumit të pranonte paqeruajtës ndërkombëtarë në Darfur, pjesërisht për shkak të lojërave olimpike. Ai thotë se roli i Kinës është po ashtu i rëndësishëm sa i përket referendumit.

Zoti Shin, i cili po studion rolin në rritje të Kinës në Afrikë, thotë se zyrtarët kinezë janë duke i kushtuar gjithherë e më shumë vëmendje zyrtarëve nga ish-organizata kryengritëse në jug, Lëvizja Popullore Çlirimtare e Sundanit.

Mes tjerash, Kina i ka ftuar ata në Pekin, si dhe ka hapur një konsullatë në ish-selinë e kryengritësve, Xhuba, kryeqyteti i Sudanit jugor.Z.Shin thotë:

“Ata po angazhohen për të siguruar marrëdhënie të mira me jugun, me supozimin se jugu do të votojë për pavarësi.”

Por Kevin Fank, hulumtues i pavarur dhe bashkëautor i librit të titulluar “Gara për Afrikën: Ndërhyrja në Darfur dhe SHBA”, thotë se gjendja në Sudan është shembull i rivalitet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara rreth burimeve dhe lidhjeve ushtarake në kontinent.

Zoti Fank citon raportet se aleatët amerikanë në Afrikën lindore po i dërgojnë armë Sudanit jugor:

“Ka pasur njoftime se Etiopia dhe Kenia i kanë dhënë armë kryengritësve në Sudanin jugor. Fakti se ato janë aleate aq të afërta të Shteteve të Bashkuara si dhe duke pasur parasysh sa të gjera janë interesat e politikës së jashtme amerikane, arrihet në përfundimin se roli amerikan në Sudanin jugor është më i rëndësishëm se sa mendohet.”

Analistë të tjerë, si Xhon Prendergast nga Projekti “Mjaft” që synon t’i japë fund gjenocidit, e shohin gjendjen me më shumë optimizëm. Ai thotë se referendumi i paraparë për Sudanit jugor është mundësi që dy ekonomitë më të mëdha të botës të bashkëpunojnë në të mirë të paqes në Afrikë:

“Të dy vendet, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kanë interes për paqe. Mund të kenë motivime të ndryshme. Kinezët kanë interes më të madh, interesin e sigurisë kombëtare, në Sudan për shkak se duan që të mos u pengohet qasja ndaj burimeve të naftës. Kanë investuar 10 miliard dollarë në sektorin e naftës dhe do të ishte çmenduri nga ana e tyre, nëse lufta fillon sërish dhe ata nuk reagojnë. Kështu që më duket se është një mundësi e mirë që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë me Kinën për të parandaluar luftën në jug, në mënyrë që të sigurohet interesat ekonomike të Kinës dhe interesat humanitare të Amerikës për të parandaluar konfliktin në Sudan.”

Referendumi do të ishte kulmi i Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Paqes që u nënshkrua më 2005 mes Lëvizjes Popullore Çlirimtare të Sudanit dhe qeverisë së Sudanit për t’i dhënë fund konfliktit njëzetvjeçar gjatë të cilit u vranë afro 2 milion njerëz. Pengesa të tjera përfshijnë logjistikën, përgatitjen e rregullt të listave të votimit, shënimin e kufirit dhe ndarjen e fitimeve nga nafta, në rast se jugu voton për pavarësi.

XS
SM
MD
LG