Lidhje

Kosovë: KQZ shpall rezultatet paraprake të rivotimeve të së dielës

  • Besim Abazi

Kosovë: KQZ shpall rezultatet paraprake të rivotimeve të së dielës

Kosovë: KQZ shpall rezultatet paraprake të rivotimeve të së dielës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet paraprake të rivotimeve të së dielës dhe të votimeve në shkallë vendi. Sipas këtij komisioni, Partia Demokratike ka fituar në Skenderaj, Drenas, Lipjan e Malishevë, ndërsa rivotimet në Deçan, nxorën fituese Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke përfshirë votat e hedhura një ditë më parë, rezultatet në shkallë vendi e nxjerrin fituese Partinë Demokratike të Kosovës me 32 për qind të votave, ndërsa ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.7 për qind, Vetëvendosja me 12.6 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11.2 për qind dhe Aleanca Kosova e Re me 7.3 për qind. Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia Fryma e Re nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor, meqë të dyja kanë nga 2.2 për qind të votave.

Në këto rezultate, nuk janë përfshirë votat nga komuna e Mitrovicës ku do të ketë rivotime të tërësishme me 23 janar. Por, as ato rivotime nuk pritet të ndikojnë në renditjen e partive politike por mund të ndikojnë në radhitjen e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Lunaçek: Zgjedhjet me defekte serioze

Sipas udhëheqësve të Kosovë, zgjedhjet ishin të mira dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare. Ndërsa në pikëpamje të sigurisë, ato kaluan pa ndonjë incident të madh.

Por, delegacioni i Parlamentit Evropian, tha sot se zgjedhjet në Kosovë janë përshkuar nga defekte serioze, ndërsa bënë thirrje për një reformë të thellë të sistemit zgjedhor. Anëtaret e këtij Parlamenti thanë se nuk ka pasur shumë përmirësime që nga zgjedhjet e 12 dhjetorit që u karakterizuan nga parregullsi, të cilat edhe kushtëzuan rivotime në pesë komuna të vendit. Europarlamentarja Ulrike Lunacek, tha se zgjedhjet janë larg standardeve ndërkombëtare dhe si të tilla ato mund të kërcënojnë edhe proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ka rrezik që të ketë ndikim jo në procesin e integrimit si tërësi, por në hapat e ardhshëm dhe në imazhin e Kosovës”, tha zonja Lunacek, duke numëruar disa nga parregullsitë e regjistruara gjatë vëzhgimit të djeshëm të rivotimeve.

“Një gjë për të cilën unë jam e brengosur dhe po ashtu janë edhe shumë të tjerë, janë disa raste të frikësimit nga vëzhguesit të cilët ishin të pranishëm nëpër vendvotime ,jo duke qëndruar në vendet e caktuara por duke qëndruar në mes të vendvotimeve dhe duke ushtruar një formë të trysnisë mbi votuesit. Po ashtu, ka pasur shumë raste të votimeve familjare e grupore”.

Ndërsa, Jutta Steinruck, anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian tha se shkëputja e energjisë elektrike dhe kaosi në vendvotime karakterizuan orët e pasdites gjatë rivotimeve të së dielës.

Kemi para radhë të gjata, por, kur ne hynim në vendvotim askush nuk votonte. Më pastaj, radha e njerëzve u zhvendos në vendvotimin tjetër dhe kur ne i përcollëm, radhët u zhdukën”, tha ajo duke nënvizuar se kjo për të ishte një situatë e paqartë.

Të dy europarlamentaret shprehën keqardhjen “për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit”. Ato bënë thirrje që në funksion “të forcimit të besimi publik në procesin demokratik duhet që, menjëherë të ndërmerren hapa vendimtar për të ndjekur penalisht të gjithë autorët e mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009”. Kosova, thanë ato, duhet të ndërmerr hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të saj.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG