Lidhje

Një film shqiptar në Festivalin e Çikagos


Ngjarjet e filmit “Agon” zhvillohen në Greqi, ku emigrojnë dy vëllezër nga Shqipëria; njëri integrohet, tjetri përfshihet në punë jo të pastra.

Festivali i Ndërkombëtar i Filmit në Çikago ka përzgjedhur për herë të parë një film shqiptar në seksionin e regjisorëve të rinj. Regjisori Robert Budina merr pjesë me filmin e tij “Agon”. Filmi trajton e dramën e dy vëllezërve që emigrojnë në Greqi. Regjisori shqiptar Robert Budina dhe filmi i tij i sapopërfunduar me metrazh të gjatë “Agon” janë përzgjedhur dhe po marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Çikagos në SHBA, në garën zyrtare në seksionin për regjisorët e rinj. Festivali po zhvillohet nga data 11 deri në 25 tetor, ndërsa premiera botërore e filmit “Agon” do të bëhet në datat 18, 19 dhe 22 tetor në Çikago përgjatë zhvillimit të festivalit.



“Në çastin që erdhi përgjigja isha pak i befasuar, sepse në Çikago ftohen filma që kanë marrë çmime në Europë. Ne marrim pjesë në seksionin e regjisorëve të rinj. Atje është një seksion i madh me 20 filma dhe seksioni i regjisorëve të rinj është vetëm me 12 filma. Ne jemi të vetmit që nuk kemi qenë në asnjë festival tjetër. Që të arrish deri këtu, ata duhet të shohin një gjë shumë të veçantë që të të pranojnë për mua kjo është më shumë se sa një sukses, është një integrim” - thotë zoti Budina.

Ngjarjet e filmit “Agon” zhvillohen në Greqi, ku emigrojnë dy vëllezër nga Shqipëria; ndërsa njëri integrohet atje me punë të rregullt, tjetri përfshihet në punë jo të pastra.

“Vëllezërit përlasen duke sjellë një dramë integrimi dhe jo një dramë emigracioni” - thotë regjisori Budina. Unë kam dashur të them se ne shqiptarët në thelb kemi vlera jashtëzakonisht pozitive, por që për momente të veçanta e humbim toruan dhe bëjmë që të dukemi negative, pa lidhje. Në fakt, nuk është e vërtetë. Në thelb ne jemi shumë pozitivë, dhe unë kam dashur ta grish këtë lloj imazhi që ndërtojnë të tjerët për ne, duke na parë thjesht në mënyrë skematike, dhe nuk na qëmtojnë nga brenda. Dhe nëse e kemi një problem, ta dimë pse e kemi. Unë këtë jam përpjekur të them dhe kjo mbase ka bërë të veçantën” - thotë ai.

Filmi “Agon” është bashkëprodhim me kompani dhe qendrat kombëtare të filmit nga Shqipëria, Greqia, Rumania dhe Franca. Zoti Budina thotë se përzgjedhja e filmit të tij në festivalin e Çikagos është një provë se ai që punon vlerësohet dhe bëhet i pranishëm, edhe pse me fonde të pakta dhe me kushte të kufizuara.

“Gjithë kjo punë që bëjmë në Shqipëri, ndonëse duket e pamundur të bësh filma, tregon që ne jemi të pranishëm. Edhe shokë të tjerë të mi kanë bërë më parë filma që kanë patur sukses, dhe kjo tregon se ne jemi të pranishëm, edhe pse me mjete shumë të pakta. Kjo mënyra më e mirë se sin e duhet ta vazhdojmë këtë punë, në mënyrë që të mos mbetemi prapa vendeve të tjera. Mendoj se është mirë që të flitet për ne, për kinemanë tonë, jo thjesht për mua” - tha ai.

Komisioni i festivalit ka shkruar në njoftimin e pranimit se filmi “Agon” vjen nga një vend i vogël, i cili shkakton turbullira të mëdha shpirtërore, dhe kjo nuk ka të bëjë me ekzotikën e origjinës. Filmi “Agon” do të konkurrojë për HYGON e Artë së bashku me një përzgjedhje prej 12 filmash të tjerë nga e gjithë bota. Po çfarë mendon Budina për garën? A mban ai shpresa se do të marrë çmim në Çikago me filmin e tij “Agon”?
“Aty janë 12 filma për regjisorët që kanë bërë filmin e parë dhe të dytë. Është një garë shumë e fortë, sepse unë i kam parë të gjithë filmat. Ata kanë marrë pjesë dhe çmime në festivale të tjera, mirëpo mbase kjo e veçanta jonë do të tërheqë vëmendjen. Filmi është shumë provokativ. Kam dashur të jem pa doreza, kam dashur t’i futem shpirtit të njeriut deri në thellësi, kam dashur të ngjall emocione, kam dashur ta prek problemin, nuk i jam fshehur atij. Për këto arsye filmi do të arrijë shumë shpejt tek publiku, dhe shpresojmë që do të arrijë shpejt edhe tek kritika” - thotë zoti Budina.

Pjesëmarrja e filmit “Agon” në Festivalin e Çikagos është e para për një film shqiptar, pas “Falja e gjakut” të Joshua Marston, në garën zyrtare të këtij festivali. Autorët besojnë se kjo është një mundësi e mirë për të paraqitur përballë industrisë së filmit në SHBA forcën e një kinemaje nga një vend i vogël por që bart energji të madhe dhe i zbulon botës veçantinë e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG