Lidhje

Shtëpia e Bardhë u përgjigjet kritikave nga Robert Gates


Shtëpia e Bardhë i doli në mbrojtje dje Presidentit Obama dhe Nënpresidentit Biden në përgjigje të kritikave nga ish-Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates në një libër që do të dalë në treg javën e ardhsme.

Shtëpia e Bardhë vazhdoi në mënyrë intensive dhe me konfidencë reagimin ndaj kritikave që shfaqen në pasazhe të librit me kujtime të zotit Gates.

Nënpresidenti Biden, i cili mendohet se mund të konkurrojë në zgjedhjet presidenciale të 2016, është objekt kritikash të ashpra nga zoti Gates, i cili thotë për të që ka qenë “gabim thuajse në çdo çështje madhore të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare gjatë katër dekadave të fundit”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Presidenti ka besim të plotë në njohuritë e zotit Biden në politikën e jashtme, përfshirë rolin e tij në debatet e administratës për Irakun dhe Afganistanin:

“Presidenti e ka thënë disa herë se vlerëson lart këshillat dhe mendimet e nënpresidentit mbi çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme”.

Libri me kujtime i zotit Gates përmban komente të forta kritike për Presidentin Obama, veçanërisht lidhur me strategjinë në Afganistan.

Zoti Gates shkruan se Presidenti Obama “nuk kishte besim në strategjinë e vet” dhe se “zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Presidentin dhe Nënpresidentin, ushqenin mosbesim dhe dyshime ndaj oficerëve të lartë të ushtrisë”.

Zoti Carney tha se është fakt që Presidenti është i angazhuar për përmbushjen e misionit në Afganistan:

“Presidenti ka besim të plotë te misioni. Ai e di që është i vështirë, por e di gjithashtu se forcat tona ushtarake, si dhe civilët në Afganistan e të tjerë po punojnë në këtë drejtim në mënyrë të admirueshme dhe heroike”.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me mesazhin që libri i zotit Gates u dërgon trupave amerikane, zoti Carney tha se është fakt i mirënjohur se Presidenti iu vu punës për të vënë në vijë politikën e çorientuar ndaj Afganistanit.

Në qershor 2011 në Pentagon, Presidenti Obama lavdëroi zotin Gates për shërbimin e tij për tetë presidentë të ndryshëm, në një ceremoni ku Sekretari i Mbrojtjes u nderua me Medaljen e Lirisë:

“Një patriot i thjeshtë amerikan. Një njeri me logjikë të shëndoshë. Me pak fjalë, një ndër punonjësit më të mirë në shërbimin publik në këtë vend”.

Senatori John McCain, rivali republikan i zotit Obama në zgjedhjet presidenciale 2008, tha se libri i ish-Sekretarit Gates konfirmon dyshimet që kishte pasur për administratën Obama.

Shtëpia e Bardhë po përpiqet të theksojë pasazhet me mesazhe pozitive në librin e zotit Gates, përfshirë komentet e ish-shefit të Pentagonit se zoti Obama mori vendimin e duhur lidhur me Afganistanin.

Zoti Gates shprehet për vendimin e zotit Obama për të autorizuar operacionin e Forcave Speciale në Pakistan për vrasjen e Bin Ladenit se ishte “një ndër vendimet më të guximshme që kam dëshmuar në Shtëpinë e Bardhë”.
XS
SM
MD
LG