Lidhje

Robotët në muzeun Smithsonian

  • Rozanë Skërbëll

Robotët në muzeun Smithsonian

Robotët në muzeun Smithsonian

Muzeu Kombëtar i Historisë Amerikane në Uashington është një ekspoze e thesarit të jetës dhe kulturës së këtij vendi. Koleksionit të shumëllojshëm po i shtohet tani edhe një numër në rritje robotësh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble bëri një vizitë në muze dhe na sjell përshtypjen e fuqishme që lënë këta shërbyes kibernetik.

C3PO nga filmi i famshëm Star Wars është një pikë tërheqëse në hyrje të muzeut. Ciceronia e robotëve Carlene Stephen thotë se vizitorëve u pëlqen shumë roboti elegant. Megjithëse roboti është një kopje e atij në film, Stephens thotë se ai përfaqëson diçka më shumë.

"Robotët kanë një histori të gjatë. Jemi muze historie dhe ata kanë interes për ne përsa i përket industrisë, shpikjes dhe novacionit".

Ndër më mbresëlënësit për Stephens është një robot 450 vjeçar nga periudha mekanike.

"I ngjan një murgu që imiton ecjen dhe ngre një kryq pranë buzëve për ta puthur".

Në të gjithë botën, më shumë se 6 milionë robotë punojnë në linjat e montimit dhe kryejnë shërbime në ushtri. Midis robotëve në muzeun Smithsonian është PackBot, një diktues i minave që përdoret gjithashtu në operacionet e survejimit nga forcat amerikane në Afganistan. Është gjithashu edhe makina pa shofer që quhet Stanley, i cili eci më shumë se 200 kilometra përmes Shkretëtirës Mojave të Kalifornisë duke fituar 2 milionë dollarë në garën DARPA Challenge.

"M’u desh të merrja guximin për ta paraqitur Stanleyn në këtë moment të rëndësishëm të historisë amerikane të teknologjisë që i përket ngarjes së makinave në të ardhmen. Stanley në këtë moment po ndikon në ngarjen e makinës në të ardhmen".

Stephens thotë se është përqëndruar kohët e fundit në zgjerimin e koleksionit të robotëve me valë.

Bruce Hall, presidenti i kompanisë Velodyne me bazë në Kaliforni erdhi në muzeun Smithsonian me disa sensorë elektronikë dhe pajisje që diktojnë pengesa, shpikur nga vëllai i tij Dave dhe të përdorura në pajisjet robotike në garën DARPA Challenge. Ai thotë se HDL-64 është mjaft i përparuar.

"Ka 64 reze lazer dhe secila na jep mundësinë të kuptojmë mirë ku ndodhemi dhe të marrin vendime inteligjente navigimi".

Këto pajisje kontribuojnë në cilësitë e sigurisë dhe vëllezërit besojnë se do të ndihmojnë edhe për makinat dhe kamionët robotik.

"Do të shihni përparime, patjetër gjatë kësaj jete. Mund t’i thuash makinës të të çojë diku dhe ajo të ecë vetë".

Barry Spletzer ka qënë shkencëtar në Qendrën Robotike dhe Sistemet e Inteligjencës në Laboratorin Kombëtar Sandia. Ai erdhi në muze me një pako me mini-robotë.

"Ata janë historikisht të rëndësishëm pasi janë robotët më të vegjël në botë. Këta janë robotët që kërcejnë më shumë. Këto janë të gjitha përparime në teknologji gjatë dhjetë apo 15 vjetëve".

Spletzer thotë se këto teknologji robotike po gjejnë përdorim në industri, eksplorimin e hapësirës, mjekësi dhe sistemet e sigurisë. Ciceronia e muzeut Carlene Stephens shpreson që robotët e sotëm dhe të tjerë që do t’i pasojnë do t’i kujtojnë publikut rolin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë në jetën e përditshme.

XS
SM
MD
LG