Lidhje

Projekt për mësimin e robotëve


Shkencëtarët në Suedi po kërkojnë ndihmë nga njerëzit në mbarë botën për t’i mësuar robotëve se si jetojnë ata.

Shkencëtarët në Suedi po kërkojnë ndihmë nga njerëzit në mbarë botën për t’i mësuar robotëve se si jetojnë ata. Me ndihmën e një skaneri me shumë funksione ata po mbledhin të dhëna nga shtëpitë që do të përdoren për t’i dhënë robotëve të ardhshëm njohuri bazë rreth nevojave dhe mënyrës se si mund t’u shërbejnë njerëzve më mirë.

Robotët janë makina të zgjuara. Ata mund të ndërtojnë gjëra të mëdha, mund të vallëzojnë si njeriu si dhe mund të ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor. Por kur dalin nga fabrikat ata nuk dinë si të funksionojnë. Nëse robotëve u tregohet një libër, ata nuk dinë ç’të bëjnë me të deri sa t’u jepen të dhëna paraprake të mjaftueshme rreth këtij objekti të caktuar.

Mungesa e njohurive bazë tek robotët është bërë një sfidë e madhe për shkencëtarët të cilët po përpiqen të ndërtojnë robotë që mund të vendosen në shtëpitë e njerëzve për t’i ndihmuar ata me punët e përditshme të shtëpisë.

Tani robotët duhet të programohen në mënyrë specifike për të kryer operacione të caktuara si zbrazja e frigoriferit ose e koshit të plehrave.

Por shkencëtarët në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Stokholm shpresojnë ta ndryshojnë këtë duke mbledhur sa më shumë të dhëna rreth shtëpive të njerëzve të cilat mund të shfrytëzohen për krijimin e njohurive bazë mbi funksionin e shtëpive
.
Profesori Patric Jensfelt është koordinator i projektit:

“Po përpiqemi të mbledhim një sasi të madhe të dhënash që do të përdoren për t’i mësuar robotët rreth ambientit normal të shtëpive. Normalisht robotët testohen në laboratore por fatkeqësisht laboratorët tanë nuk janë njësojë si shtëpitë e zakonshme. Prandaj po përpiqemi t’u mësojmë robotëve se si duken shtëpitë e zakonshme të njerëzve”.


Sipas zotit Jensfelt mënyra më e mirë për të mbledhur të dhëna rreth shtëpive është përmes skanerëve të mëdhenj tre dimensionalë të cilët kanë qasje në objekjtet si librat, frigoriferët dhe karriket.

Por kjo nuk është punë e lehtë pasi kur profesor Jesfelt filloi projektin, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ekzistonin vetëm pesë skanerë të mëdhenjë të shtëpive. Prandaj studiuesit kanë kërkuar ndihmën e njerëzve. Ata po pyesin shumë njerëz që përmes ndjesorëve kinetikë të kompanisë Mikrosoft, të cilët mund të ndjekin lëvizjet e njeriut, të regjistrojnë pamje nga shtëpitë e tyre. Pas regjistrimit ata duhet t’u dërgojnë pamjet filmike studiuesve të cilat më vonë i analizojnë.

Sipas zotit Jensfelt, synimi kryesor është të mblidhen sa më shumë të dhëna që përfaqësojnë larminë e shtëpive në mbarë botën. Alper Aydemir në tezën e tij të doktoraturës po shkruan mbi njohuritë robotike dhe po punon për projektin kinetic@home që nga viti 2011.

Ai thotë se në procesin e mësimit të robotëve është me rëndësi që ata të njihen me sa më shumë objekte që është e mundur.

“Në botë ka një larmi të madhe objektesh. Për shembull, robotëve mund t’u tregohet një libër, por ata do të mësojnë vetëm për këtë libër të caktuar dhe nuk do të dinë se ekzistojnë libra në formë katërore, të vegjël, të mëdhenj e kështu me radhë. Prandaj është e vështirë të përdoret një shembull i përgjithshëm”.

Një nga personat që po ndihmojnë në realizimin e këtij projekti është Burcu Ayoglu, studente në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Stokholm.

“Për studiuesit e robotikës kjo ka një rëndësi të madhe sepse ata duan të kuptojnë se me çfarë po përballen robotët. Ne mund të japim ndihmën tonë duke treguar shembuj të dhomës së pritjes, kuzhinës apo dhomës së fjetjes”.

Sipas studiuesve filmimet që ata kanë marrë u kanë ndihmuar atyre të përmirësojnë algoritmet ekzistuese për shtëpitë në të cilat do të qëndrojnë robotët.
Por ata kanë nevojë për më shumë të dhëna para se të fillojnë krijimin e njohurive bazë për robotët.
Gjithsesi, do të duhen shumë vite para se robotët e pa programuar të hyjnë në shtëpitë tona.






XS
SM
MD
LG