Lidhje

Teknologji e re: Robotë teleprezentë

  • GEORGE PUTIC

Tingëllon si një koncept i së ardhmes, por aftësia për të qenë i pranishëm në dy ose më shumë vende në të njëjtën kohë, e quajtur teleprezenca, ka ekzistuar që nga transmetimi i parë i drejtpërdrejtë televiziv në vitin 1929. Megjithatë, aftësia për qenë i pranishëm dhe të lëvizësh në moment sipas dëshirës është një përpjekje që kërkon ndërthurjen e industrisë televizive me atë robotike.

Tani është e lehtë të marrësh pjesë nga larg në një mbledhje, përmes programeve të ndryshme të telekonferencave.

Por, pjesëmarrja në disa takime radhazi, ose vizita ndaj secilit pacient në një repart spitalor, do të thotë se dikush duhet të mbaj me vete një pajisje portative.

Këtu hyn roboti teleprezent.

Ideja e teleprezencës ka ekzistuar për një kohë të gjatë, por ka qenë kryesisht në faza eksperimentale për shkak të kostos së lartë të ndërtimit të një platformë të qëndrueshme lëvizëse të pajisur me një ekran kompjuteri, një aparat fotografik, dhe pajisje të tjera të nevojshme.

David Cann, Firma “Double Robots”:

"Ne e ndërtuam atë rreth një iPadi pasi kostoja ishte më e ulët. Kjo platformë është shumë e lëvizshme dhe përdorimi i saj nga konsumatorët është tepër i lehtë".

David Cann është bashkë-themelues i firmës “Double Robots”.

Inxhinierët e firmës me bazë në Kaliforni donin të ndërtonin një robot të tillë me kosto të përballueshme i cili do të zgjidhte tre probleme.

David Cann, Firma “Double Robots”:

"Ne donim të ndërtonim një pajisje të lehtë e cila nuk do të ishte e frikshme, nuk do të përplasej me objektet përreth dhe nuk do të dëmtonte asgjë. Donim që ajo të mos ishte më e gjatë se rreth 1.5 metra dhe të kishte një bazë të vogël në mënyrë që të lëvizte me lehtësi në zyrë mes një karrigeje dhe një tavoline dhe mes njerëzve. E vetmja mënyrë për ta realizuar këtë ishte prodhimi i një roboti të balancuar".

Një tabletë iPadi e instaluar në robotin e quajtur "Double 2", shërben si truri i tij, duke e ndihmuar atë të mbajë ekuilibrin, ndërsa përdoruesi i kontrollon nga larg lëvizjet e tij përmes një kompjuteri.

Roboti kushton rreth tre mijë dollarë pa iPad-in dhe deri tani, më shumë se 5 mijë robotë të këtij lloji janë dërguar në mbarë botën, në korporata, spitale dhe klientë privat. Punonjësit e shkëputur lehtë mund të nxitojnë nga një takim në tjetrin dhe të shoqërohen me kolegët e tyre, ndërsa studentët e sëmurë mund të ndjekin nga shtrati mësimet dhe të bisedojnë me miqtë e tyre.

Firma “Double Robotics” thotë se së shpejti robotët teleprezentë do të mund të përdoren në muzeume dhe vende të tjera publike.

XS
SM
MD
LG