Lidhje

Kur afron sezoni i festave në Shtetet e Bashkuara, kërcimtare të sinkronizuara fillojnë shfaqjen në skenën e Radio City Music Hall në Nju Jork. Trupa me të gjitha kërcimtaret femra, “Rockettes”, tregon për Zërin e Amerikës se çfarë duhet për të qënë valltare nga më të famshmet e qytetit.

Grupi Rockettes ka argëtuar njujorkezët dhe turistët nga mbarë bota qysh nga viti 1925. Kërcimtaret kanë përvojë në balet, xhaz dhe kërcimin tep. Ato duhet të jetë të gjata nga 168 dhe 179 centimetra.

“Kam kërcyer gjithë jetën që kur isha 4 vjec. Dhe pastaj si adoleshente, me një grup kërcimi erdha në Nju Jork dhe pata një ditë eksperiencë me Rockettes, dita kur shkon në turne me grupin dhe bën një mini-klasë me një nga kërcimtaret. Më kujtohet që atëherë mendoja – këto vajza janë fantastike”, thotë Jackie Aitken, kërcimtare me Rockette.

Rockettes janë elementi kryesor i sezonit të festave në Nju Jork. Familjet amerikane i çojnë fëmijët e tyre në qytet për të parë interpretimin e grupit. Shumë nga të rriturit e mbajnë mend këtë eksperiencë kur ishin fëmijë.

Grupi duhet të kalojë në prova të vështira për gjashtë javë.

"Kemi tetë koreografi. Ka shumë për të bërë dhe kemi dy grupe që punojnë në të njëtën kohë. Pra kemi 80 kërcimtare në dhomë që mësojnë koreografinë, vendet ku duhet të jenë dhe përpiqemi të perfeksionojmë çdo gjë”, thotë Julie Branam, koreografe.

Rockettes bëjnë prova gjashtë orë në ditë për gjashtë ditë në javë. Pas kësaj për dy javë ato përgatiten në skenë më kostume dhe orkestër. Gjatë sezonit të festave, nga nëntori deri në fillim të janarit, grupi interpreton deri në gjashtë shfaqje në ditë.

“Kur bëra prova për Rockettes, m’u duk qartë qysh në fillim se kjo do të ishte një punë shumë e vështirë. Duket shumë e lehtë në skenë, por në këtë punë ka shumë praktikë dhe precizion”, thotë kërcimtarja Kristin Jantzie.

Kristin Jantzie ka qënë me grupin për 10 vjet, Courtney Rottenberger për katër. Asaj i pëlqen të kërcejë në skenë për sa më gjatë të jetë e mundur.

“Dua të jem me Rockettes për sa më shumë kohë të kem mundësi. Dhe kur të mbaroj karrierën këtu, dua të krijoj familje. Jam diplomuar në psikologji dhe më pëlqen të vazhdoj në atë fushë.”

Prindërit e Courtney-t e çuan atë në Radio City Music Hall për të parë kërcimtaret kur ajo ishte tre vjec. Nëse do të ketë një ditë një vajzë, ajo do të bëjë të njëjtën gjë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG