Lidhje

Rohrabacher, shqiptarët e Kosovës nuk përfitojnë nga marrëveshja


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve ngul këmbë se zgjidhja e qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë do të vinte nga shkëmbimi i territoreve

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Dana Rohrabacher, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Kalifornia, thotë se shqiptarët e Kosovës nuk përfitojnë asgjë nga marrëveshja e nënshkruar kohët e fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për përmirësimin e marredhënieve. Kongresmeni Rohrabacher prej kohësh ngul këmbë se zgjidhja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë do të vinte nëse dy vendet shkëmbejnë territore. Kjo pikëpamje nuk mbështetet nga qeveria e SHBA dhe nga Bashkimi Evropian, të cilët e kanë mbështetur marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Intervistë me Dana Rohrabacher
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00



Kongresmeni Rohrabacher shpjegoi në intervistë se përse marrëveshja e sigluar në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrit serb Ivica Daçiç është e disfavorshme për shqiptarët dhe nuk e ndryshon situatën në rajon.

“Sidomos shqiptarët e Kosovës nuk përfitojnë asgjë nga kjo marrëveshje. Në realitet ata po dorëzojnë jo vetëm autoritetin në veri, por edhe autonominë. Atyre nuk u lejohet të sjellin forcat e rendit dhe të imponojnë ligjin në veri. Kjo nuk do të kishte asgjë të keqe nëse do të ishte pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme, për të cilën unë kam propozuar një shkëmbim territoresh mes dy vendeve. Mirëpo marrëveshja e arritur në Bruksel është thjesht një fasadë dhe njerëzit nuk e shohin veten më afër paqes se sa ishin dhjetë vjet më parë.”

Zoti Rohrabacher propozon që zgjidhja të gjendet te një shkëmbim territoresh:

“Ajo pjesë e Serbisë, Lugina e Preshevës duhet të bëhet pjesë e Kosovës, ndërsa Veriu i Kosovës i banuar kryesisht nga serbë, të jetë pjesë e Serbisë. Ne mund ta bëjmë lumin kufirin mes dy vendeve. Por ajo që po ndodh është se ata as që po e shqyrtojnë këtë mundësi, sepse po mbështeten te amerikanët dhe evropianët për orientime se si duhet vepruar. Kështuqë shqiptarët nuk përfitojnë asgjë dhe çështja do të përfundojë duke e bërë veriun autonom pa marrë asgjë si shkëmbim.”

Zoti Rohrabacher nuk është dakord me shqetësimet e shprehura nga ata që ai quan burokratë në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë se një shkëmbim territoresh do të çonte në kaos.

“Kjo nuk është e vërtetë. Kaos kemi kur detyrojmë një pjesë të madhe popullate të jetë pjesë e një qeverie që ata nuk duan ta kenë mbi krye.”

Kongresmeni nga Kalifornia thotë se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mjaft para për të ruajtur qëndrueshmërinë në atë pjesë të Ballkanit prandaj zgjidhjet që ato ofrojnë duhet të mbështeten në realitetin.

XS
SM
MD
LG